OPINIONTË FUNDIT

Pse kosovarët janë më të lumturit në rajon? Flasin ekspertët

Gazetare: Igballe Potera & Yllka Ajeti

Raporti i Lumturisë, i cili është një botim i Rrjetit të Zgjidhjeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, ka nxjerrë Kosovën si vendin më të lumtur të rajonit.

Në Raportin e Lumturisë për periudhën 2021-2023 kosovarët del të jenë ngritur në ranglistën e lumturisë, ku këtë herë vendi ynë është radhitur në vendin e 29-të, duke lënë mbrapa të gjithë fqinjët e rajonit.

Sipas ekspertëve nga fusha e sociologjisë, lumturia e kosovarëve vjen edhe nga jeta e lirë pa obligime bazike shkruan Zeri.info.

Sociologia Ormira Dibrani ka thënë se kjo ka ndodhur si pasojë se qytetarët nuk i kryejnë obligimet dërrmuese dhe kjo ka ndikuar në jetën më të lirë e pa obligime bazike.

“Ne nuk e kemi vetëdijen e lartë mbi përgjegjësit dhe obligimet që na takojnë si qytetar të vendit, qoftë për punë, familje, për arritje nuk jetojmë me stres si në vendet tjera që i shohin gjërat më larg”, tha sociologia Ormira Dibrani për “Zërin”.

Ndërkaq përveç kësaj, ajo tha se në Kosovë nuk ka tendenca për karrierë profesionale, sepse kënaqen me pak.

Në anën tjetër, psikologu Imri Zabeli i theksoi disa faktorë që kanë ndikuar që Kosova të ketë vendin e 29-të në botë e njëra ndër to është edhe liberalizimi i vizave.

Disa faktorë të tjerë që ai përmend janë:

“Pritshmëria për ndryshime pozitive sociale në Kosovë përmes ndryshimeve në qeverisje dhe praktikat e ofrimit te qeverisjes më afër qytetarëve përmes subvencionimeve të ndryshme.

Pritshmëria pozitive për hapje të Kosovës ndaj tregut evropian përmes liberalizimit të vizave.

Rritja e qasjes në tregun ndërkombëtare të punës përmes shërbimeve virtuale, duke shfrytëzuar koston më të lirë të jetesës në Kosovë”.

Të ardhurat e ulëta nuk ndikojnë në lumturinë e kosovarëve

Kosova është shteti më i varfër në Evropë me të ardhurat më të ulëta dhe me ekonomi të dobët, por këto duket se nuk kanë ndikuar në lumturinë e qytetarëve, kështu mendon psikologia Miradije Statovci, e cila i tha “Zërit” se pasuria nuk e bën njeriun të lumtur. Ajo konstaton se Kosova e ka merituar këtë vend, pasi kosovarët janë të lumtur pas çdo sfide.

“Pasuria nuk është lumturi, lumturia është pasuri. Lumturia është një emocion shumë i këndshëm, fatkeqësisht e ka edhe periudhën e skadimit. Lumturia varet nga ndjenja shpirtërore, të njeriut e jo nga ana materiale. Disa individë janë të lumtur me gjërat që i posedojnë, ka të atillë që asgjë nuk i bënë të lumtur, por varet nga njeriu ku e kërkon atë”, u shpreh ajo.

Kosovarët, të lumtur

Kosovarët përmendin arsye të shumta pse janë të lumtur.

Qytetarja nga Prishtina Alea Pllana u shpreh se ajo është e lumtur për shkak të shëndetit të mirë dhe marrëdhënieve të mira me personat e dashur.

“Personalisht, besoj se lumturia përpiqet një kombinim të faktorëve të ndryshëm, si shëndeti, marrëdhëniet e mira me personat e dashur, qëllimet e arritura dhe ndjenja e qëllimit në jetë”, tha ajo për “Zërin”.

Ndërkaq edhe një qytetare tjetër tha se është e lumtur dhe arsyet kryesore të lumturisë së saj janë shëndeti i mirë dhe rehatia me veten.

“Së pari më bën të lumtur që gëzoj shëndet të plotë, si dhe ndihem rehat me veten e nuk dua të mos përmend edhe njerëzit që kam përreth, të cilët përmbushin jetën time.

Çdoherë mundohem të jem pozitive dhe të shoh anën e mirë të gjërave, normalisht që njeriu përballet me sfida e probleme çdoherë, por është mirë të dimë se si t’i menaxhojmë situatat jetësore”, tha Vlora Halimi.

Alban Dermaku u shpreh se nuk kupton nga vjen lumturia kaq e madhe që Kosovën ta radhitë në vendin e 29-të.

“Unë nuk kuptoj, si ka mundësi që qytetarët e vendit më të varfër në Evropë të jenë kaq të lumtur, ne shohim çdo ditë e më shumë se jeta jonë vështirësohet nga çmimet e larta dhe pagat e ulëta, me mosrespektim të ligjit të punës, me korrupsion në çdo fushë. Kjo vërtet do një studim për ta bërë, unë për vete jam i lumtur, por jo në ato nivele”, tha Dermaku.

Raporti i Lumturisë, i cili është një botim i OKB-së, bazohet në një anketë vjetore, ku pyeten rreth 1000 individë në rreth 140 vende të botës, të cilëve u kërkohet të rendisin, nga 1 në 10, për të parë nëse janë duke jetuar mirë ose jo.

Finlandezët zënë vendin e parë si më të lumturit në botë. Pas tyre janë danezët e islandezët. Suedezët dhe izraelitët kompletojnë top-pesëshen.

Afganët janë populli më i palumtur në botë. Libani, Lesoto, Sierra-Leone dhe Kongo e pasojnë. /Zëri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *