POLITIKA

“S’ka përparim kundër korrupsionit”, ndërhyrja e Qeverisë në gjyqësor evidentohet ndërkombëtarisht

Transparency International ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka ndërhyrë vazhdimisht në gjyqësor dhe se nuk pati vullnet politik “për të hequr dorë prej kontrollit dhe për forcim të mbikëqyrjes së pavarur”. Pushteti e ka nisur me qasjen e njëjtë edhe këtë vit, në fillim të të cilit zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e quajti jokredibile dhe jokompetente Gjykatën Kushtetuese, për të cilën kryeministri Albin Kurti thoshte se po bën “përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave”.

Transparency International, organizata globale që udhëheq luftën kundër korrupsionit, ka vlerësuar në një raport të fundit se Kosova në vitin 2023 s’ka bërë përparim nga viti paraprak në luftimin e kësaj dukurie.

Kosova është vlerësuar me 41 pikë në raportin e Indeksit për Perceptim të Korrupsionit për vitin 2023, në një metodologji pikësh që zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100-ëshi për një vend pa korrupsion.

Transparency International e ka goditur Qeverinë e Kosovës, që sipas vlerësimit të organizatës, ka bërë ndërhyrje të vazhdueshme në gjyqësor.

Pavarësisht prej përpjekjeve të vazhdueshme, TI ka konstatuar se reformat kyçe për pavarësi të sistemit të gjyqësorit po lëvizin shumë ngadalë.

“Edhe më keq, ndërhyrja e vazhdueshme e Qeverisë në çështjet e gjyqësorit, e ilustruar me shkarkim të shefit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, bashkë me ndërhyrjen e deputetëve të shumicës në hetimin parlamentar për një rast të madh të korrupsionit, sugjerojnë se nuk ka vullnet politik për të hequr dorë prej kontrollit dhe për forcim të mbikëqyrjes së pavarur”, thuhet në raport.

Gjykatat, dhe specifikisht atë më të rëndësishmen, Gjykatën Kushtetuese, kryeministri Albin Kurti dhe vartësit e tij i kanë sulmuar disa herë.

Lëvizja Vetëvendosje e ka akuzuar disa herë Kushtetuesen se po shfrytëzohet nga opozita “për ta mbrojtur shtetin e kapur dhe për t’i mbrojtur të fuqishmit e ekonomisë dhe privatizimit”, ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është akuzuar disa herë se po ndërhyn në pavarësinë e gjyqësorit.

Qeveria s’do ta zbatojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese, por vetëm ato që i duken të drejta, paralajmëroi këtë fillimvit zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili i dha epitete si “jokomptente” dhe “jokredibile” gjykatës kryesore në vend. Këtë gjykatë, që është autoriteti përfundimtar në vend për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, Bislimi e sulmoi në “Radio Gorazdevac”, një medium lokal serb në Gorazhdec të Pejës. Bislimi tha se Kushtetuesja “është e njohur për marrjen e vendimeve të diskutueshme”.

“Gjykata jonë Kushtetuese është e njohur në prodhimin e dokumenteve/vendimeve kontraverse dhe këtë e shohim në baza ditore sepse besojmë që atyre u mungon kompetenca dhe kredibiliteti. Dhe ky s’është i vetmi vendim i kushtetues që s’ka mundur të gjejë zbatim”, tha Bislimi, kur u pyet për moszbatimin e vendimit të kësaj gjykate për pronat e Manastirit të Deçanit.

Bislimi aty paralajmëroi se Qeveria s’do t’i zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese në rast se ato i duken të padrejta.

“Pra, kurdo që Qeveria beson se po i keqshërbejnë drejtësisë atëherë është e vështirë të veprojmë në pajtim me këso vendime. Është vështirë të veprojmë në bazë të tyre. Nuk është se po i mohojmë”, tha Bislimi, i cili konsideroi se Gjykata Kushtetuese merr vendime që janë “produkt i një mjedisi të korruptuar”.

E pyetur për këtë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha pak ditë më pas se “është fakt që një nga institucionet që po e pengon jetësimin e reformave, jo vetëm në drejtësi por edhe në fushat tjera, është Gjykata Kushtetuese”.

Këtë gjykatë, Haxhiu tha se “opozita po e konsideron si shpëtim”.

Këto deklarata, pasqyrojnë dhe pasojnë edhe qëndrimet e shefit të Qeverisë, Albin Kurtit.

“Në historinë 15-vjeçare të shtetit të pavarur të Kosovës nuk mbahet në mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese brenda një kohe kaq të shkurtër. Kontestimi i tyre është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave”, deklaronte Kurti para një viti, më 22 shkurt 2023.

Sulmet e pushtetit u drejtuan edhe kah prokurorët, bile edhe më shumë kah ta. Ata, Kurti i pati etiketuar si kundërshtarë, duke e shënjestruar hapur kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn në një seancë të Kuvendit në prill të vitit të kaluar, pasi me urdhër të Prokurorisë Speciale ishte arrestuar kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i afërt me LVV-në. Kryeministri i quante prokurorët “njerëz të cilët ende nuk janë pajtuar me rezultatin e 14 shkurtit 2021”, ndërsa e akuzonte Prokurorinë se, sipas tij, nuk i kishte hetuar keqpërdorimet që ishin bërë në të kaluarën në KEK.

Lidhur me këtë rast, është krijuar një komision hetimor parlamentar, punën e së cilit deputetët opozitarë e kritikojnë pushtetin se po e pengon që ta bëjë. Edhe Transparency International e ka përmendur “ndërhyrjen e deputetëve të shumicës në hetimin parlamentar për një rast të madh të korrupsionit”.

“E dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën dhe keqpërdorime marramendëse, por asnjëherë nuk janë hetuar nga prokuroria. Prokuroria është e zellshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut më 2022 ka qenë 107 milionë euro. Zelli i Prokurorisë për t’u marrë me deponimet, e faktet, e dëshmitë e keqpërdorimeve të mëhershme është zero, ndërkaq zelli për t’u marrë me kryeshefin i cili solli 107 milionë euro fitim ishte maksimal”, deklaronte Kurti.

Ai thoshte se nuk kishte dyshim se në Prokurori ekziston “një disponim politik negativ ndaj pushtetit të ri” dhe sipas tij, “kjo lidhet më shumë se me askë tjetër me figurën e Blerim Isufajt”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *