POLITIKA

Pa tituj, pa simbole, pa fusnotë e emra shtetesh, takimi i 6 liderëve të Ballkanit në Shkup larg temave të nxehta të politikës

Shkupi të dielën e të hënën ishte vendtakimi i Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian. Prezente ishte edhe SHBA me Ndihmës Sekretarin James O’Brien. Liderët u mblodhën aty për Planin e Rritjes – plan për rritje ekonomike të cilin kishte njoftuar Unioni krahas një premtimi më të prekshëm për anëtarësim të gjashtë vendeve. Takimi u mbajt mes udhëheqësve të rangut të lartë, por aty s’u ekspozuan simbolet, as emrat e shteteve as fusnota e madje as postet që i mbajnë liderët pjesëmarrës. Po ashtu, ata u shfaqën ndaras edhe në konferencat për media.

Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Mali të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë – u takuan të hënën në Shkup për të diskutuar reformat e nevojshme për të hyrë në Planin 6 miliardësh të rritjes së BE-së të paraqitur tetorin e kaluar. Nga Bashkimi Europian në rajon erdhi drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Europian, Gert Jan Koopman, ndërsa nga SHBA zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit për çështje europiane, James O’Brien.

Për shkak të mospajtimeve politike, mosnjohja reciproke Kosovë-Serbi, në tavolinën e përbashkët të diskutimit ata u prezantuan në të ashtuquajturën formula Gymnich – pa simbole shtetërore, pa emra shtetesh dhe pa pozita. Në vend të tyre u ekspozuan vetëm emri dhe mbiemri në tavolinën ku u mblodhën.

Këtë disponim e reflektoi edhe deklarata e përbashkët ku nuk u përmendën shtetet pjesëmarrëse por pjesëmarrësit u identifikuan si Western Balkans Six ( 6’shja e Ballkanit Perëndimor). Deklarata nuk pati asnjë referencë për situatën politike e as për kontestet ndërmjet vendeve të Ballkanit siç është rasti me Kosovën e Serbinë dhe dialogu mes tyre. Kosova dhe Serbia në vitin 2012 kishin arritur një marrëveshje  me të cilën Kosova lejohej që të marrë pjesë dhe të nënshkruajë marrëveshje të reja në llogari të saj dhe të flasë për vetveten në të gjitha takimet rajonale.

“Deri më tani marrëveshjet janë nënshkruar nga UNMIK-u në emër të Kosovës. Kosovo* do të jetë denominimi i vetëm që do të përdoret dhe në fusnotën që do të përdoret në asteriks do të shkruhet : Ky identifikim është pa paragjykime ndaj pozicioneve rreth statusit dhe është në pajtim me rezolutën 1244 të KSKB dhe Opinionin e GJND’së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, thoshte para 12 vitesh BE për këtë marrëveshje.

Por, në Shkup s’është përdorur kjo formulë. Aktualisht kjo temë është subjekt i negociatave. BE i ka propozuar Kosovës që ta nisë themelimin e Asociacionit në këmbim të heqjes së fusnotës në përfaqësim rajonal. Por, për këtë s’ka pasur pajtim.

Të hënën kur u mbajt Samiti, Kryeministri I Kosovës Albin Kurti nuk e la pa e thumbuar Presidentin e Serbisë, pa e përmendur atë dhe shtetin e tij.

Kurti, derisa tha se mbështet qasjen e BE-së për kushtëzim të fondeve europiane, por që qarkullimi i mallrave nuk duhet të shfrytëzohet për bartje të armëve dhe sponsorizimin e sulmeve terroriste, duke aluduar te sulmi i Bansjkës.

Ai gjithashtu tha se Kosova do ta dorëzojë listën e reformave të diskutuara, dhe ditëve në vijim edhe lista e projekteve indikativë.

Kurti në Shkup ka kërkuar që procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE të mos jetë i lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe për këtë ka thënë se është në interesin e shtetit të Kosovës, të BE-së dhe SHBA-së që të mos ndodhë kjo.

Derisa amerikani O’Brien tha se liderët janë paralajmëruar që nuk do të mund t’i vendosin njëri-tjetrit veto përgjatë procesit dhe nëse ka tendenca të tilla do të ndëshkohen, duke shtuar se nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura.

“Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit”.

Sipas tij, plani i ri i BE-së dallon prej ofertave paraprake.

“Plani i BE-së për rritje nuk është sikurse planet tjera që kemi parë deri më tani. Ai thotë se jo vetëm që duhet të bëni reforma dhe të merrni buxhet më vonë, ai thotë që nëse i bëni reformat e duhura, atëherë kompanitë dhe njerëzit tuaj do të fitojnë liri të BE-së shumë shpejt – lirinë për të lëvizur, për të punuar ku të duan”.

Drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman, ka kërkuar angazhim të madh të liderëve të Ballkanit për rrugën përpara dhe ka përsëritur se BE-ja është e hapur për të ndihmuar.

“Plani i Rritjes është një ndryshim potencial i lojës dhe mund të dyfishojë madhësinë e ekonomive tuaja në dekadën e ardhshme”, tha ai.

Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, për periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro.

Plani i rritjes së BE-së për rajonin do të përfshijë hapjen e tregut të përbashkët për vendet e Ballkanit Perëndimor në fusha të tilla si lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve, transporti dhe energjia.

Por në këmbim, gjashtë vendet duhet të zbatojnë reforma dhe të zgjidhin të gjitha çështjet e pazgjidhura mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *