Vrasja brutale e 18 vjeçarit në Podujevë, Policia konfirmon se ka arrestuar dy persona – çfarë dihet deri tash
Lulzim Fejzullahu, 18 vjeçar nga Podujeva, vdiq sot në QKUK pasi u rrah brutalisht në qytetin e tij disa ditë më parë.
Për këtë rrahje, më 14 janar policia kishte arrestuar dy persona të cilët janë dërguar në mbajtje si vijimësi e procesit hetimor. Ata fillimisht dyshoheshin për veprën penale “Vrasje në tentavitë”, ndërkaq pasi ai vdiq, të dyshuarit ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Sot nga zyrtarët e QKUK-së në Prishtinë, policia ka pranuar konfirmimin se L.F, mashkull, 18 vjeç, i cili ishte duke u trajtuar në njësinë e mjekimit intesiv ka ndërruar jetë. Në hetimin penal, që njësia e hetimeve të përgjithshme e rajonit të Prishtinës po kryente në drejtim të veprës penale “Vrasja në tentativë” përkitazi me rastin e ndodhur më 14.01.2024, në rrugën “Drenica” në Podujevë, i njëjti ka qenë viktimë. Ndërlidhur me ngjarjen po në të njëjtën ditë policia ka arrestuar dy persona të dyshuar të cilët janë dërguar në mbajtje si vijimësi e procesit hetimor. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që në përputhje me rrethanat e reja, policia me autorizimin e prokurorit të shtetit, ka ricilësuar veprën penale që po hetohej deri tani dhe ka orientuar hetimin në drejtim të veprës penale “Vrasje e Rëndë””, ka thënë ai.
Por, si ndodhi ngjarja?
Axha i Lulzimit, Rrahim Fejzullahu, ka treguar versionin e tij se si kishte ndodhur ngjarja tragjike. Ai fillimisht tregoi se Lulzimi ishte jetim pa të dy prindërit.
“Unë nuk e di [sulmuesit] a kanë qenë moshatarë të tij apo jo. Së pari e kanë ndjekë me kerr, e kanë shkelë me kerr, e kanë shtyp, e kanë rrëzuar. Kur e kanë rrëzuar Lulzimin, i kanë hip stupca bejsbolli, derisa sot në ora 15:20 ndërroi edhe jetë”, ka thënë ai për Raporto24.
Ai tha se sherri nisi te një rrojtore e qytetit.
“Aty i kanë shty fjalët. Jo s’po rruhesh para meje, jo kush je ti, jo kush jam unë. Këtu ka ndodhë shkaku. Djali ka dalë, e ka marrë jaknen, me shku prej shpie. Në derë kah dalin janë rrok me krahë. Si shqiptarët qysh e kanë zakon pse me shtyve, pse të shtyva. Ai i ka lonë me u rrue, por këta e kanë përcjellë me kerr, videot i ka policia”, ka bërë të ditur axha i viktimës”.
Fejzullahu tha se tash rasti është në dorë të organeve të rendit, por ai kërkoi “drejtësi maksimale” për nipin e tij.