VV-ja në Maqedoni/ Ahmeti: Nuk përmbën problem, jemi demokraci, por ndërkombëtarët e krahasun veprimin e Kurtit me atë të Vuçiqit
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i ftuar në emisionin “Top Story”, duke folur për shtrirjen e Lëvizjes Vetëvendosjes në Maqedoni, ka deklaruar se shqetësim për këtë gjë, kanë ngritur edhe autoritetet ndërkombëtare.
Ahmeti tha se ndërkombëtarët kanë tërhequr paralelen e veprimit të Kurtit në Maqedoni, njëjtë sikurse të Vuçiqit në Kosovë.
Megjithatë për Ahmetin kjo nuk përbën problem, shton se jemi vend demokratik dhe secili ka të drejtën e vet.
“Sigurisht, ka ndodhur që për zgjedhjet presidenciale, z.Kurti mbajti anë, doli në përkrahje të një pjese të partive politike në Maqedoni, edhe pse kjo ishte një marrëveshje për mbështetje të një kandidati konsensual.Ne atë kohë nuk e kemi bërë këtë në mënyrë naive dhe nuk kemi shfaqur patriotizëm folklorik, emocional por jemi dakorduar në parim me z.Pendarovski dhe LSDM-në për detyrimet që do ti ketë si vend, i kemi dhënë përkrahje. Aktualisht, me vota të drejtëpërsëdrejta nuk mund të fitojë. Mund të bëjmë lojë, teatër, por e dijmë që ska fitues.
Unë nuk e di që ka regjistruar parti, shumë nga Komuniteti Ndërkombëtarë për arsyen që z.Kurti ka nevojë për krijimin e partisë, por kam thënë, kjo është demokracia. Më kanë vendosur në situatë tepër të vështirë, atëherë pse z.Kurti ankohet kur Vuçiqi bën politikë në Kosovë. Më kanë kërkuar spjegim, më kanë lënë pa tekst. Unë asnjëherë nuk kam kërkuar mbështetje nga partitë politike në Kosovë dhe Shqipëri, ne si BDI kemi pasur kontakte dhe bashkëpunim me të gjitha partitë, por në rradhë të parë me shtetin, sepse realisht, mua më është dashur bashkëpunimi mes shteteve, raportet ndër-shtetërore mes Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe jo bashkëpunim ndër partiak”, deklaroi Ahmeti.
Foli edhe për kryeministrin Rama dhe tha se ai asnjëherë nuk është përfshirë, përzier në çështjet politike shtetërore dhe kjo gjë sipas Ahmetit është për tu përshëndetur.
“Edi Rama asnjëherë ska ndërhyrë në punët e brendshme të organizimit politik në Maqedoni. Çdoherë ka bërë përpjekje për ti afruar partitë politike, gjë për të cilën i jamë falemderues, mirnjohës për këtë qasje”, deklaroi ai