POLITIKATË FUNDIT

Kurti darkon me Ashtonin: Përballemi me shumë çështje të njëjta si para 10 vjetësh

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se të premten në mbrëmje ka darkuar me ish-përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, për të cilën ka thënë se pavarësisht ndryshimeve në role tash në krahasim me 10 vjet më parë, vazhdon përballja me shumë çështje të njëjta.

“Kam shtruar darkë mbrëmë në periferi të Prishtinës për ish-Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, baroneshën Ashton, me të cilën kam diskutuar për politikën dhe çështjet evropiane e rajonale. Edhe pse rolet tona janë të ndryshme sot në krahasim me 10 vjet më parë, ne përballemi me shumë çështje të njëjta”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Catherine Ashton, që pati udhëhequr një kohë ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi, në Prishtinë të premten ka thënë se pret përparim në dialog dhe u shpreh se ka nevojë për vendosmëri të përnjëmendtë për të bërë kompromis. Në një konferencë në kryeqytet, Ashton refuzoi të komentonte takimin e fundit të dështuar në dialog mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ajo lavdëroi emisarin aktual të BE-së, Miroslav Lajçak.

Ndërsa pas takimit të fundit, Kurti pati përmendur para gazetarëve emrin e Ashtonit, teksa kujtoi se ajo ishte ndërmjetësuese në kohën kur qe arritur marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin. Duke thënë se nuk ka pranuar kushtëzimin e Serbisë që të niset me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe para zhvillimeve të tjera në dialog, Kurti ka thënë se tash “nuk jemi në prillin e vitit 2013, kur në dhomë ndodheshin baronesha Ashton, këshilltari i saj Cooper dhe kryeministrat e asaj kohe, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq”.

“S’është marrëveshja e vitit 2013. Qartë, neni 10 i Marrëveshjes bazike thotë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut në Bruksel të cilat janë të obligueshme dhe valide. Janë 39 sosh gjithsej. Nuk mundet nga neni 10 nga 39 marrëveshje të përzgjidhet një e të vendoset sikur qerrja para kuajve. Të bëhet edhe thelb, edhe parakusht. Një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar”, qe shprehur Kurti para gazetarëve.

Catherine Ashton ka qenë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në vitin 2014, kur vendin e saj e ka zënë italiania Federica Mogherini.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *