POLITIKATË FUNDIT

Kryediplomati i Kroacisë: Kosova mund ta marrë modelin kroat si shembull për pakicat

Kryediplomati kroat, Gordan Grlic Radman, ka thënë se Kosova mund të shikojë mundësinë e aplikimit të modelit kroat për të mbrojtur të drejtat e pakicave.

Ai tha se ky model iu vlerësua Kroacisë gjatë anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian, raporton Gazeta Express.

“Kur flasim për modelin të quajtur kroat, është model që është promovuar përmes ligjit kushtetues për të drejtat e pakicës. Si model është i suksesshëm si i tillë dhe ndoshta mund të shërbejë si një shembull. Natyrisht që ishte i vlerësuar dhe i lidhur me qasjen tonë në BE, ky model ka rezultuar me sukses për ne. Por për të gjithë ata që dëshirojnë ekzistojnë shumë të tjerë. Ne mbështesim çdo rezultat dhe marrëveshje që është rezultat i dakordimit”.

Ai tha se ky model mund të përmendet dhe se të drejtat e pakicave janë të mbrojtura në Kroaci, duke shtuar se për këtë ndoshta edhe janë shembull në BE.

Radman tha se stabiliteti rajonal është edhe shumë i rëndësishëm për Kroacinë.

“Sepse kufijtë e Kroacisë janë edhe kufijtë europianë dhe janë në pyetje stabiliteti rajonal dhe promovimi i stabilitetit rajonal dhe dialogut brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor, që është një çështje kruciale”.

Në takimin e 2 Majit në Bruksel, Kryeministri Kurti kishte prezantuar një draft-vizion të tij për Asociacionin – pa ia përmendur emrin – që bazohet në modelin kroat, pra të pozitës së pakicës serbe në Kroaci.

Kryediplomati kroat u zotua se do të mbështesin Kosovën për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Ndërkaq, për angazhimin e deritanishëm të Kroacisë për Kosovën në forume e tryeza ndërkombëtare e falënderoi kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, në konferencën e përbashkët për media.

“Kroacia na ka mbështetur në çdo forum ndërkombëtar, në çdo bisedë me partnerë ndërkombëtarë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, për të cilin të dy u pajtuam që është një proces që ka zgjatur padrejtësisht shumë”.

Duke folur për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë, Gërvalla përmendi edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, për të cilin tha “në ndërkohë ka filluar të marrë formë, duke e ditur që shtetet partnere të Kosovës e përkrahin Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Europian”.

Arsyen e vizitës pikërisht në këtë ditë të kryediplomatit kroat e zbuloi Gërvalla.

“Kjo vizitë lidhet me një datë shumë të shënuar për Kroacinë, e cila është 720 vjetori i regjistrimit të parë zyrtar të diasporës kroate diku në Europë dhe kjo ka ndodhur në Janjevë dhe ne pas kësaj konference do të shkojmë bashkë në Janjevë, me kroatët e Janjevës do të festojmë këtë ditë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *