Veterani i UÇK’së nga Malisheva Dardan Krasniqi thotë se ka marrë vendimin e vështirë për t’a lënë vendin
Dardan Krasniqi nga Malisheva është veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje.
Por çfarë e ka bërë lajm shpesh emrin e tij ka qenë fakti se ai është kunati i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.
Ai ka vendosur që të largohet nga Kosova për në Finlandë, thotë se do të niset nesër dhe familjen do ta marrë me vete në muajin gusht.
Në një prononcim për Gazetën Express, Krasniqi ka thënë se nuk duhet të paraqitet vetëm si kunat i Haxhiut, pasi thotë se ka kontribuar për Kosovën edhe para se të njihet me Haxhiun.
”Unë ndihem mirë për Albulenën, por unë kam kontribuar edhe para se ta njihja atë“, ka thënë ai.
Megjithatë e pranon se fakti se është kunati i Albulena Haxhiut kjo e ka penalizuar shpesh atë.
”Jam penalizuar për faktin se jam kunat i Albulena Haxhiut, edhe ne të kaluarën edhe tash, bile tash në qeverisjen e Vetëvendosjes edhe më shumë“.
E për pushtetin e Vetëvendosjes, Krasniqi thotë se ka pritur më shumë, duke mos qenë i kënaqur.
”Mundësitë janë më shumë. Pas shumë viteve aktivizëm. Ne kemi sakrifiku, jemi arrestu për me sjellë një standard të ri në politikë, jo me sjellë Mimoza Kusarin një njeri që flet si është shkatërru Kosova, e vetë ajo e ka shkatërru”, tha Krasniqi teksa nuk u shpreh i kënaqur me punësimet që VV po i bën për pushtetarët e kaluar.
Ai thotë se sikur ta dinte që Kosova nuk do të ndryshonte do të largohej më herët.
“Do të largohesha në vitin 2000 ose 2010 nëse do ta dija që Kosova nuk do të bëhet më mirë”, tha Krasniqi teksa u shpreh i zhgënyer me trajtimin që po i bëhet duke shtuar se “i ka ruajtur parimet e tij”.