BOTATË FUNDIT

Trajnimi i ushtrisë ukrainase, ShBA’ja do të dërgojë tanke Abrams në Gjermani në maj

31 tanke amerikane M1A1 Abrams do të mbërrijnë në maj në një bazë në Gjermani dhe ukrainasit do të fillojnë një trajnim prej 10 javësh për përdorimin e tyre, sipas zyrtarëve të lartë ushtarakë që folën në kushte anonimiteti për të diskutuar çështjet e sigurisë.

Në trajnimin e drejtuar nga SHBA do të marrin pjesë rreth 250 ukrainas dhe zyrtarët thonë se 31 tanke Abrams do t’i dorëzohen Ukrainës deri në vjeshtë, shumë më herët nga sa pritej fillimisht.

Tanket e stërvitjes nuk do të jenë të njëjtat që do t’i dërgohen Ukrainës, ndërsa vendi lufton kundër agresionit rus. Ato po bëhen gati në Shtetet e Bashkuara para së të dërgohen në vijën e frontit, sipas zyrtarëve.

Lajmi vjen ndërsa Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin po drejton një takim të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës të premten në bazën Ramstein të Gjermanisë, ku udhëheqës ushtarakë nga më shumë se 50 vende po përqëndrohen tek nevojat e ushtrisë ukrainase.

Zoti Austin pritet të njoftojë se tanket Abrams do të mbërrijë në Gjermani në javët e ardhshme gjatë një konference për shtyp të premten. Zoti Austin tha se anëtarët e Grupit të Kontaktit kishin dhënë më shumë se 55 miliardë dollarë ndihmë sigurie për Ukrainën.

“Më shumë se një vit më pas, Ukraina është ende e fortë. Mbështetja jonë nuk është lëkundur dhe unë jam krenar për përparimin që kemi bërë së bashku, “tha ai.

Britania e Madhe ishte e para që premtoi tanke të stilit perëndimor për Ukrainën, duke dërguar tanket e saj Challenger 2 për të ndihmuar në luftë. Pas njoftimit të Shteteve të Bashkuara për tanket Abrams, Gjermania njoftoi se do t’i japë tanke Leopard 2 Ukrainës dhe do të lejojë aleatët e tjerë që kanë tanke gjermane, si Polonia, të bëjnë të njëjtën gjë.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov informoi anëtarët e Grupit të Kontaktit të premten për gjendjen në fushën e betejës dhe nevojat më urgjente ushtarake të Ukrainës.

Moska filloi një ofensivë të re në Ukrainë në fillim të këtij viti që ka ngecur, ndërsa Kievi po përgatitet për një kundërofensivë, që pritet të fillojë në ditët ose javët në vijim.

SHBA ka ofruar më shumë se 35 miliardë dollarë ndihmë sigurie për Ukrainën që nga fillimi i agresionit të Rusisë në shkurt 2022, të cilin zoti Austin e quajti “një agresion të paprovokuar”.

Përpara takimit, Sekretari Austin trajtoi çështjen e rrjedhjes masive të dokumenteve të klasifikuara të Pentagonit që detajojnë informacionet e ndjeshme të zbulimit mbi luftën në Ukrainë, të zbulimit rus dhe të atij të aleatëve.

Zoti Austin tha se e kishte marrë çështjen shumë seriozisht dhe do të vazhdojë të punojë me “aleatët dhe partnerët tanë që i vlerësojmë thellësisht”.

“Jam i prekur nga solidariteti dhe angazhimi juaj për të refuzuar përpjekjet për të na përçarë. Dhe ne nuk do të lejojmë asgjë të prishë unitetin tonë”, tha ai./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *