POLITIKATË FUNDIT

Fushata e Kurtit dhe VV’së, a do të mund t’i marrin komunat veriore me shumicë serbe

Nga 4 deri më 21 prill është caktuar periudha e fushatës zgjedhore për kandidatët dhe partitë politike që garojnë për zgjedhjet e 23 prillit në Veri. Në këto zgjedhje merr pjesë edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e cila tash së voni ka nisur një fushatë elektorale në rrjetin social Facebook. Nga dita e diel deri më sot kjo parti ka bërë 3 postime- dy prej tyre për aktivitet ku ka marrë pjesë edhe kryeministri Kurti, ndërsa njëra është paralajmërim që një kandidat i saj do të japë intervistë në televizionin publik.

Kurti të dielën ka takuar katër kandidatët e LVV-së për zgjedhjet në Veri: Erden Atiq, Flatron Hasani, Fetah Peci dhe Lulzim Hetemi. Kjo është bërë e ditur përmes një postimi të faqes zyrtare të partisë në Facebook.

“115 është numri i fitores për katër komunat në veri të Republikës tone”, nis ky postim, derisa thuhet se Kurti si kryeministër ka ndarë besimin se ky proces zgjedhor do të kalojë i qetë dhe pa incidente, ndërsa si kryetar i LVV-së i ka siguruar mbështetje.

“Kurti si Kryeministër ndau besimin e tij që ky proces zgjedhor do të kaloj ashtu siç duhet dhe i ka hije një procesi demokratik, qetë e pa incidente, me pjesëmarrje të lirë e të lartë të qytetarëve në komunat veriore. Duke u dëshiruar fushatë zgjedhore të mbarë dhe të suksesshme, si Kryetar i Lëvizjes, ai i siguroi katër kandidatët e subjektit tonë për mbështetje të fuqishme nga organizata jonë për këto zgjedhje që do të mbahen të dielën e ardhshme me 23 prill”, thuhet në postimin e partisë që udhëheq Kurti.

Një postim të tillë, Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë edhe dje, ku përmendet edhe qeverisja dyvjeçare.

“Komuna Veriore e Mitrovicës sot është vend më i sigurtë sesa që ka qenë dy vite më parë. Kjo falë vendosmërisë dhe punës serioze që ka bërë qeverisja qendrore në atë pjesë. Luftimi i krimit, korrupsionit, kontrabandës dhe bandave kriminale atje, ka dhënë rezultate të suksesshme. Nuk ka më ferma të drogës e të kriptovalutave, rrugë ilegale për kontrabandë. Ka prani të shtetit, stacione të reja të policisë që garantojnë rendin dhe sigurinë”, thuhet në postim.

Mirëpo LVV thotë se janë duke iu përgjigjur mungesave të qytetarëve në Veri me komunikim të përditshëm nga kandidatët e partisë për këto katër komuna.

“Por çfarë u mungon qytetarëve në atë pjesë dhe si duhen adresuar këto nevoja? Kësaj po i përgjigjen në komunikim të përditshëm me qytetarët katër kandidatët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që me numrin 115 do të jenë kryetarët e ri në komunën Veriore të Mitrovicës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.”

Edhe në këtë postim është shprehur mbështetja e Kurtit për kandidatët e partisë që ai drejton.

“Erden Atiq si Kryetar i ardhshëm i komunës Veriore të Mitrovicës, Flatron Hasani si kryetar i komunës së Zubin Potokut, Fetah Peci si kryetar i Zveçanit dhe Lulzim Hetemi i Leposaviqit, kanë mbështetjen e plotë të qytetarëve në katër komuna veriore. Përveç kësaj, ata kanë edhe mbështetjen e Kryeministrit, Albin Kurti, dhe të ministrave në kabinetin e tij, me të cilët edhe po punojnë ngushtë për t’iu përgjigjur secilës çështje të interesit dhe nevojës që kanë qytetarë në ato komuna”.

Ndërkaq, postimi i tretë që është bërë në lidhje me zgjedhjet në Veri është ai i ditës së djeshme, ku LVV njofton se kandidati i saj për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, është i ftuar në televizionin publik për intervistë (të martën).

“Kandidati ynë për Kryetar të komunës Veriore të Mitrovicës, Erden Atiq, është i ftuar sonte prej orës 20:00 në RTK. Ju ftojmë ta ndiqni.”

Kërkesa për shtyrjen e zgjedhjeve

Të enjten e javës së kaluar, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve. Ai thotë se shtyrja e zgjedhjeve “na shpëton fytyrën si shtet”.

“Duhet bërë kujdes, opsioni i ndaljes së këtij procesi është i mençur, është në dobi të Kosovës dhe e shpëton edhe fytyrën tonë si shtet”, ka thënë Haradinaj për KP.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Bashkimit Evropian, nëse ata e shohin si zgjidhje shtyrjen e zgjedhjeve, mirëpo deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.

Lidhur me kërkesën e Haradinajt, disa ditë më parë është deklaruar nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

“Është punë e KQZ-së dhe organeve tjera shtetërore duke përfshirë Qeverinë dhe Presidenten. Partitë politike nuk kanë asnjë arsye me ndërhy në procese të tilla. Qeevria po dështon me kriju kushte të mira zgjedhore për qytetarët e saj”, ka thënë Haziri për Express.

Bojkotimi nga Lista Serbe

Zgjedhjet në Veri u patën caktuar fillimisht për në dhjetor të vitit 2022, mirëpo për shkak të tensioneve nga barrikadat e vendosura nga serbët lokalë, presidentja Osmani vendosi t’i shtyjë ato për gjashtë muaj.

Njëjtë sikur në dhjetor, edhe në prill, Lista Serbe ka vendosur që të mos marrë pjesë në zgjedhjet për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit dhe për kuvende komunale të Leposaviqit dhe Zveçanit.

Ata kanë kushtëzuar pjesëmarrjen e tyre me disa kërkesa: krijimin e asociacionit dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga Veriu.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe, deklaruan qartë se partia jonë mbetet konsistente në qëndrimin e saj se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme lokale në komunat në veri të Kosovës dhe Metohisë, derisa të plotësohen kërkesat që na bënë të largohemi nga institucionet e Kosovës, që është formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të Prishtinës nga veriu i Kosovës dhe Metohija”, thuhej në njoftimin e LS-së.

Mirëpo ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Lista Serbe nuk merr pjesë në zgjedhje pasi sipas tij e ka humbur përkrahjen nga komuniteti serb.

“Pse një Listë ndihet e rrezikuar nga sundimi i ligjit nga mungesa e humbja e përkrahjes nga dora e zgjatur e ligjit ne nuk guxojmë të biem në shantazh të tyre. Nuk duhet të presim që Lista Serbe të na thotë se a duhet të mbajmë zgjedhjet apo jo apo do ta bojkotojë apo jo. Një prej arsyeve që ata nuk janë për zgjedhje është për shkak se brenda komunitetit që jeton atje kanë humbur mbështetjen”, ka thënë Sveçla.

Ndërkohë, Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka vlerësuar se zgjedhjet në katër komuna në veri të Kosovës janë në kundërshtim me demokracinë dhe nuk kontribuojnë në qetësimin e tensioneve dhe ndërtimin e besimit.

“Përkundër kësaj, ju tani keni një përpjekje për një proces zgjedhor në veri të Kosovës pa pjesëmarrjen e serbëve dhe një përpjekje për të sjellë në pushtet ata që përbëjnë dy për qind të popullsisë në zonat ku 98 për qind janë serbë”, tha Jevtic për televizionin Prva.

Kandidatët tjerë për zgjedhjet në Veri

Përpos Lëvizjes Vetëvendosje, për zgjedhjet në Veri kandidatë ka edhe Partia Demokratike e Kosovës, madje këto dy parti janë të vetmet që garojnë për të parin e Zubin Potokut.

PDK për kryetar të Mitrovicës së Veriut e ka kandidat Taulant Kelmendin, për Leposaviq Albulena Behluli-Hetemin, për Zubin Potok Izmir Zeqirin ndërsa për Leposaviq Ilir Pecin.

Mitrovicë e Veriut: Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica dhe Aleksandar Arsenijoviq nga partia Srpski Opstanak.

Leposaviq: Aleksandar Jabllanoviq nga Partija Kosovskih Srba.

Zveçan: Sladjana Pantoviq si kandidate e pavarur.

Ndërkaq për kuvende komunale, VV për Zveçan ka 10 kandidatë e 18 për Leposaviq, ndërsa PDK 16 për Zveçan e 2 për Leposaviq. Për të marrë ulëse në kuvendin komunal të Leposaviqit, Partija Kosovskih Srba ka 17 kandidatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *