Aleanca e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe skema amerikane për Shqipërinë, ka shqetësuar armiqtë shekullorë tanët
Nga Spartak NGJELA
Por, gjithashtu, ka trembur edhe korrupsionin e lartë shtetëror në Tiranë.
l.
A do ta risistemojë politika amerikane demokracinë antikorrupsion në Shqipëri?
Ajo ndërkohë e ka risistemuar kushtetutshmërinë në Shqipëri; dhe shqiptarët po presin edhe risistemimin e demokracisë antikorrupsion.
A do ta rivendosë Amerika në favor të shqiptarëve ndalimin e frymës dyqind vjeçare antishqiptare?
Interesi amerikan dhe ai perëndimor po e kërkon, dhe Pavarësia e Kosovës flet pozitivisht në përgjigje të kësaj pyetjeje.
Pikërisht këtu është ngritur frika e Beogradit dhe Athinës, por edhe e korrupsionit të lartë shtetëror në Tiranë. Si rregull, Beogradi dhe Moska, në shekuj kanë punuar kundër Shqipërisë me korrupsionin e brendshëm shqiptar. Por, kjo luftë aktuale antikorrupsion në Shqipëri, po të shkojë deri në fund, do të ndryshojë në sens pizitiv vetë historinë e Shqipërsë.
Si do të ndryshojë historia e Shqipërisë në sensin historik?
ll.
Po të ndjekim historinë e marrëdhënies shqiptaro- amerikane, e gjejmë përgjigjen brenda.
Në këto çaste të kohës sonë politike, politika amerikane, duke evokuar presidentin Willson, po i kujton Beogradit dhe Athinës historinë dhe, njëherësh, edhe lidershipit të korruptuar shqiptar, të të dy krahëve, mbrojtjen e madhe historike amerikane të Shqipërisë në vitin 1919-1920.
Por, edhe Beogradi, edhe Athina, edhe Moska duhet të kujtohen se Presidenti Willson, jo vetëm mbrojti Shqipërinë territoriale në Konferencen e Parisit, por kërkoi rikthimin e teritoreve të pushtuara shqiptare.
E pra, pse po na e kujton politika e lartë amerikane, tani, pas njëqind vjetësh, këtë ndodhi historike? Sepse jemi sërish në të njejtën kohë. Duhet të kujtohemi: historia rikthehet në formë cikli.
Por, në raportet shqiptaro-amerikane ka edhe disa evente të tjera historike në mbështetje të shqiptarëve në lidhje me Kosovën.
Ishte kërkesa e prerë e presidentit amerikan Nikson për autonominë e gjerë të Kosovës në vitin 1974; dhe më pas, lufta e vitit 1999 për çlirimin e Kosovës me aktin e madh të presidentit Klinton.
Por, ka qenë edhe ndërhyrja e prerë e presidentit Kenedi, në Vienë, në vitin 1961, kur i tha kryeministrit rus Nikita Hrushov: “Shqipëria nuk preket”.
Të gjitha këto evente historike në mbrojtje të shqiptarëve, tregojnë që mbijetesa e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor është edhe një vepër amerikane, fakt ky që aktualisht po kuptohet se Shtetet e Bashkuara e kanë pozicionuar drejt politikën perëndimore kundrejt historisë së Shqipërisë. Me përjashtim të Francës.
lll.
Tani historia është kthjelluar, dhe të gjitha kançeleritë e mëdha perëndimore e njohin shumë mirë historinë e padrejtësisë antishqiptare në Ballkanin Perëndimor.
]Gënjeshtrat e historiografisë serbe dhe greke, tani i bëjnë për të qeshur edhe katedrat e historisë së universiteteve të mëdha perëndimorë, por, njëherësh po kështu, edhe dy politikat e mëdha perëndimore: politikën amerikane dhe politikën gjermane.
Shenjën e parë do ta shohim në takimin e pritshëm Merkel – Vuçiç që do të mbahet për njohjen e Kosovës.
Gjermania kërkon të jetë prezente në Ballkanin Perëndimor, por edhe ajo ka qenë mbrojtëse e territoreve të Shqipërisë në vitin 1912-1913, në Londër, kur përcaktoheshin kufinjtë. Dhe dihet se, lufta për të fshirë kufinjtë e Shqipërisë vijoi deri në vitin 1920.
Sot që ka ndryshuar gjithçka në favor të Shqipërisë, shqiptarët kanë vetëm një armik tripolësh kërcënues: Moskën, Beogradin dhe korrupsionin e lartë shtetëror në Tiranë.
lV.
Hapi i parë në stabilizimin e dyshtetit shqiptar, Shqipëri- Kosovë, do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia.
Në këto momente do shohim edhe një konkurim pozitiv midis politikës amerikane dhe politikës gjermane: cila do të jetë më efikase për detyrimin e Serbisë që ajo të njohë Kosovën?
Në fakt, presioni duket se është i dyanshëm, por fuqinë më të madhe kuptohet se e ka politika amerikane.
Në lidhje me këtë, kancelarja gjermane ia ka bërë të qartë Serbisë pushtimin e territoreve shqiptare. “Sa më shumë ta vononi njohjen e Kosovës, aq më shumë i rrezikoni territoret e tjera të pushtuara prej jush” – kështu i ka folur politika gjermane presidentit serb. Kurse tani, jemi afër fundit: edhe qëndrimi gjerman do të jetë më i fortë. Gjithçka do të duket në këtë muaj.
Nuk ka interes amerikan në këtë zonë pa një aleancë bilaterale Uashington-Tiranë, por as ineresi shqiptar nuk mund të realizohet jashtë partnershipit me Shtetet e Bashkuara.
Kjo është përmbajtja politike e kësaj kohe në Ballkanin Perëndimor. Por, pikërisht këtu vjen dhe spikat edhe interesi gjerman, i cili e do domosdoshmërisht Shqipërinë në Bashkimin Europian. Këtë kërkesë e ka njëherësh edhe politika amerikane.
V.
“E duam Shqipërinë forcë ushtarake, dhe në Bashkimin Europian”; po thotë në këto çaste politikat amerikane, hapur.
“E duam Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian”; po thekson hapur politika gjermane me anë të kancelares Merkel.
Atëherë, konkluzioni është ky: Shqipëria duhet të armatoset me një ushtri të fortë moderne brenda NATO-s, në funksion të ekuilibrit global të politikës amerikane, dhe, si e tillë, ajo duhet të jetë me anëtarësi të plotë në Bashkimin Evropian, në funksionin të politikës gjermane, por edhe të politikës amerikane.
Kjo është arsyeja politike perëndimore e kohës sonë në lidhje me Shqipërinë, por, në këtë arenë, kjo politikë ka pengesë të madhe korrupsionin e lartë shtetëror në Shqipëri. Pengesë kjo, e cila nuk mund të shmanget dot me anë të opinionit publik shqiptar.
Pa eliminimin me mposhtje drastike të këtij korrupsioni, është e pamundur që të realizohet interesi perëndimor në Shqipëri.