Hill: Nuk është e lehtë, por ka ardhur momenti kyç që të shohim zbatimin e marrëveshjes së Ohrit
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill deklaroi se ka ardhur momenti kyç kur duhet të presim që diçka të ndodhë sa i përket zbatimit të marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, e cila sipas tyre nuk është arritur lehtë.
“Sa i përket marrëveshjes së Ohrit dhe marrëveshjeve të tjera, për asnjë moment nuk thashë se është diçka e lehtë dhe se do të jetë e lehtë, por mendoj se kemi arritur një moment kyç në kuptimin që duhet të presim që diçka të ndodhë në aspektin e zbatimi”, theksoi ai, shkruan N1.
Hill u shpreh se momenti është i vështirë, por e konsideron plot shpresë, si dhe pret zbatim në të ardhmen.
Ai shtoi se çështja e Kosovës duhet parë si një çështje rajonale në kontekstin e Ballkanit të Hapur dhe sipas tij, me iniciativën e Ballkanit Perëndimor vendet bashkëpunojnë dhe punojnë së bashku.
“Është pjesë e procesit që do ta çojë Serbinë drejt një bashkëpunimi më të madh dhe përfundimisht në anëtarësimin e saj në BE”, përfundoi Hill.