Osmani: Kosharja dëshmoi se sakrifica për liri nuk ka çmim
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në 24-vjetorin e betejës së Koshares tha se me respekt kujton heronjtë e kësaj beteje.
Osmani tha se Kosharja dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim.
“Rënia heroike e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi dhe komandantëve e luftëtareve të tjerë, dëshmoi se Beteja e Koshares ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive”, tha Osmani.
Ajo theksoi se pjesë e betejës ishin nga thuajse të gjitha trevat shqiptare.
“Përulemi para trimërisë dhe sakrificës së luftëtarëve të lirisë nga Poroji i Tetovës, Tirana e Tropoja, Tuzi e Presheva dhe vullnetarëve nga vende të tjera, të cilët iu bashkuan luftës së popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet”, theksoi ajo.
Manifestimet “Ditët e Shqipes”, që i kushtohen kësaj beteje të lavdishme, organizohen nën përkujdesin e Presidentes së Republikës së Kosovës.
“I përjetshëm qoftë kujtimi dhe e pavdekshme lavdia për heronjtë e Koshares dhe luftën e popullit të Kosovës për liri”, shtoi Osmani.