Franca në flakë nga protestat, ministrja pozon për Playboy
Ministrja Franceze e Çështjeve Sociale Marlene Schiappa po përballet me kritika për foton e saj në kopertinën e revistës Playboy.
Mediat franceze raportojnë se kryeministrja Elisabeth Borne e ka thirrur Schiappa për të shprehur pakënaqësinë e saj. Sakaq, kopertina ku Schiappa shfaqet me një fustan të bardhë ka ndarë dhe opinionin në kryeqytetin francez.
Zhurma mediatike vjen në një kohë trazirash në vend teksa qeveria po përballet me protesta për reformën e pensioneve. Kopertina shoqërohet me një intervistë 12 faqe, ku Schiappa e cila solli në legjislacionin francez dënimin e ngacmimeve në rrugë, flet për të drejtat e grave dhe LGBT.
Vetë ministrja shkroi në Twitter: “Mbrojtja e të drejtës së grave për të pasur kontrollin e trupit të tyre, është kudo dhe gjatë gjithë kohës. Në Francë, gratë janë të lira. Me gjithë respektin e duhur për kritikuesit dhe hipokritët”.
Borne telefonoi Schiappa për të thënë se intervista “nuk ishte aspak e përshtatshme, aq më tepër në periudhën aktuale”, raportoi gazeta franceze Le Parisien në fundjavë. /A2CNN