POLITIKATË FUNDIT

Zgjedhjet në veri: Kurti paralajmëron “penguesit potencialë”, Presidenca thotë se kanë një plan “B”

Incidentet e fundit në veri me djegien e veturave po shihen si tendencë për përshkallëzim të situatës në prag të zgjedhjeve të 23 prillit.

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, gjatë ditës së djeshme ka thënë se penguesit potencialë të këtyre zgjedhjeve se do të përballen me forcën e ligjit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“E gjejë rastin të theksoj se pluralizmi politik dhe e drejta e votimit lirshëm te komuniteti serb janë të domosdoshme. Kushdo që dëshiron ta vijon ta cenojë këtë të drejtë themelore nuk ka çfarë të pres tjetër pos përgjigjen e institucioneve tona me forcën e ligjit”, ka thënë Kurti.

Më pas, kreu i ekzekutivit tha se si institucione janë duke bërë gjithçka, duke përmendur edhe strukturat paralele serbe që Kurti thotë se janë që nga koha e Millosheviqit.

Në anën tjetër, nga presidenca e Kosovës kanë thënë se situata nuk është normale në veri shton Vela, por se ka një plan “B” për zgjedhjet.

“Për zgjedhjet kemi edhe planin B, por paraprakisht do të njoftohen qytetarët. Sigurisht do të kujdesemi të mos rrezikohet jeta e anëtarëve të KQZ-së dhe qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar për Telegrafin, Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani.

Ai thotë se strukturat ilegale në veri kanë filluar një kampanjë terrorizimi, por që sipas tij zgjedhjet do të mbahen me ligje të Kosovës.

Vela ka thënë se KQZ në përgatitjen e zgjedhjeve në veri është duke u koordinuar edhe me faktorët ndërkombëtarë.

“Është e vërtet që ka një presion javëve të fundit, por më shumë kjo lidhet me çështjen e targave. Ka qenë një afat për lirimin nga tatimet për ata që dëshirojnë t’i konvertojnë targat. Mbi 700 qytetarë serbë të Kosovës gjatë marsit kanë bërë konvertimin e targave”.

Ai tha se institucionet e Kosovës do të bëjnë çfarë është e mundur që qytetarëve të Kosovës që dëshirojnë konvertimin e targave t’u ofrohet siguri.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur se vetëm në muajin mars në targa RKS kanë qenë të regjistruara diku 722 vetura, ndërkaq në muajin prill ka pasur më pak.

Bislimi tha se nga këto 722, shumica kanë qenë në 10 ditëshin e fundit të muajit mars.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri pritet të mbahen më 23 prill.

Lista Serbe – si partia kryesore e serbëve të Kosovës ka bojkotuar këtë proces zgjedhor, i cili erdhi pasi pasi kryetarët nga radhët e Listës Serbe në komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe në targa të Kosovës.

Dorëheqje kanë dhënë edhe serbët e punësuar në gjyqësor, administratë, polici dhe dogana të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *