POLITIKATË FUNDIT

Musliu: Albin Kurti si kryeministër, luftën më të ashpër e ka bërë me Albin Kurtin e para dy vitesh

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se Albin Kurti si kryeministër, luftën më të ashpër e ka zhvilluar me Albin Kurtin e para dy vitesh.

Ajo tha se dëshiron të kujtojë se si ka ardhur Albin Kurti në pushtet, duke u shprehur se ajo rrugë ishte rruga e refuzimit, e propagandës dhe e akuzave.

“Për këtë periudhë dyvjeçare, Albin Kurti si kryeministër, luftën më të ashpër e ka zhvilluar me Albin Kurtin e para dy vitesh. Le të kujtojmë njëherë që rruga përmes së cilës Albin Kurti erdhi në pushtet, ishte rruga e refuzimit, e propagandës dhe e akuzave”.

“Ishte rruga e cilësimit të politikbërjes së rruga e tradhëtisë kombëtare, ishte rruga e demonstratave që u printe Albin Kurti e në të cilat u vranë qytetarë të këtij vendi, të cilët i besonin propagandës së tij. Ishte rruga e cila burgosi të rinj e të reja, rruga që ofendoi e plagosi polic të Republikës së Kosovës”, u shpreh ajo.

Ajo u shpreh se Kurti dikur shtetin e Kosovës e shihte thjeshtë si një koloni funksionale.

“Për të folur për të gjithë përrallat e Albinit, duhet shumë kohë që sot nuk e kam në dispozicion, por nuk kam se si të mos e përmend perlën e Albinit, atë qërshin që ai e përpiu me gjithë bërthamë, shtetin e Kosovës, që dikur e shihte thjeshtë si një koloni funksionale që nuk e pranonte si realitet dhe nuk e respektonte asnjë nga simbolet e tij”, u shpreh tutje ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *