Rama njofton se i ka mbledhur nënshkrimet për ta kundërshtuar rezolutën e Dick Martyt: Drejtësia do të triumfojë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se ka arritur t’i mbledhë nënshkrimet e nevojshme për moacionin për ta miratuar një rezolutë të re, mbi rezolutën e dikurshme të senatorit të atëhershëm zviceran, Dick Marty, e cila e akuzonte UÇK-në për krime të rënda gjatë luftës, ndër tjerash edhe trafikim organesh.
“ I MBLODHËM MË NË FUND FIRMAT NË ASAMBLENË E KËSHILLIT TË EUROPËS PËR MOCIONIN PËR NJË REZOLUTË TË RE MBI REZOLUTËN E VITIT 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj USHTRISË SË LAVDISHME ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS për trafikun e organeve njerëzore
“, shkroi Rama në Facebook.
Ai tha se “drejtësia do të triumfojë në fund fare”.
“Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por Drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare”, ka shkruar ai.
Raporti i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendonte se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.
Këto pretendime u bënë shkaku që çoi në krijimin e Gjykatës Speciale.