POLITIKATË FUNDIT

Prokurori: Viktimat u mbajtën të lidhur me zingjirë, litarë apo me tel, disa prej tyre kanë menduar se më mirë të kishin vdekur

Prokurori i specializuar, James Pace, tha se të ndaluarit në mënyrë të paligjshme, ishin mbajtur në kushte të rënda dhe se disa prej tyre kishin menduar se më mirë të kishin vdekur se sa të mbaheshin në ato kushte.

Në vendet si Gjikoc, Jabllanicë, Llapushnik, Malishevë, Budakovë, Jeshkoven, Zllashin, prokurori tha se u mbajtën në dhoma dhe mjedise që mbaheshin të kyqura apo të ruajtura nga anëtar të UCK-së.

Sipas tij, viktimat u mbajtën të lidhura me njeri tjetrën dhe objekte të tjera si pemë, apo radiatorë përfshirë edhe litarë apo me tel.

Këto vende sipas prokurorit njiheshin mirë nga të akuzuarit dhe nga anëtarët tjerë të UCK-së, të cilët sipas tij komandonin dhe mbanin viktimat në kushte të rënda.

Në një fshat ku ishte Zona e Shtabit të Llapit, prokurori ka thënë se ka qenë një stallë e kthyer në një gjendje ndalimi.

“Kushtet e ndalimit në disa vende të ndalimit ishin aq të rënda saqë disa persona të caktuar të mbajtur aty mendonin që më mirë të kishin vdekur sesa të mbaheshin ashtu”, tha prokurori Pace.

Ai po ashtu tha se të ndaluarit në shumë qendra të pretenduara ndalimi në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, u ishin nënshtruar rrahjeve me shufra hekuri, shkop bejsbolli e gjësendeve të tjera.

Në Llapushnik, sipas Pace, disa të ndaluarve ua shkulën thonjtë me darë.

“Në Llapushnik dyshemeja ishte prej betoni me fekale kafshësh të shpërndara përreth”, tregoi prokurori duke thënë se disa të ndaluar ishin të mbajtur të lidhur me zinxhirë dhe flinin në vendin e njëjtë ku kryenin nevojat fiziologjike.

Sipas tij, në një prej qendrave të ndalimit “disa të ndaluar u detyruan të hapnin varrin e vet”, e në vende të tjera panë të tjerët teksa rriheshin e merreshin në pyetje.

Ai tha se viktimat u rrahën dhe u keqtrajtuar fizikisht dhe se anëtarët e UCK-së përdoren metoda për ti keqtrajtuar viktimat, duke u goditur me shkelma, grushte me shkopinjë, u rrahën me pistoleta, me tel, me tuba plastik, u dogjën me dyllin e nxehtë të qiriut etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *