INTERESANTE

Aleksandre Lambert: Evropa e sabotoi historinë tuaj në Shekullin XIX, kur Ilirinë e quajti Ballkan

Mos prit të të respektojnë nëse nuk ke respekt për veten! Të kesh respekt për veten, së pari duhet të njohësh vlerat, historinë, kulturën dhe prejardhjen tënde. Ndodh, jo rrallë, qe ne shqiptarët të kemi një botkuptim të cënuar për veten tonë. Ndonjëherë janë të huajtë ata që na e rikujtojnë se duhet të kemi më shumë respekt për veten, të jemi krenarë për historinë dhe kulturën tonë. Si në rastin e kësaj interviste me historianin zvicerian Alexandre Lambert, Drejtor akademik i “School of International Training” në Gjenevë dhe ekspert i OSBE, i cili na sjell një pikpamje akademiko-shkencore të asaj çfarë përfaqësojnë shqiptarët dhe kombi Shqiptar në historinë e Evropës.

Intervista:

Dr. Aleksandre Lambert, me që ju i njihni problemet e vendeve të Evropës Juglindore, sidomos shqiptarët, a mund t’u flitni lexuesve tanë, por edhe botës, se si i njihni ju shqiptarët?

Përballë tendencës së përgjithshme të shtypit dhe mediave të tjera ndërkombëtare, pjesërisht të ndikuara nga propaganda serbe dhe greke, si dhe nga gjithë ata që i mbështesin, duke folur keq për shqiptarët – dhe duke qenë se bashkësia ndërkombëtare bën pyetjen për të ardhmen e këtij populli në Evropën Juglindore, unë mendoj se është koha që të paraqitet ky popull në një mënyrë objektive, konstruktive, pse jo edhe të drejtë. Më lejoni t’ju them që në fillim se unë nuk mendoj se shqiptarët janë engjëj, dhe popuj të tjerë, duke përfshirë edhe Serbët, të jenë të tillë. Unë do t’ju flas për faktin se me përhapjen e klisheve, këtyre ideve të rreme, shumë herë të përsëritura, me fyerje kundër shqiptarëve, askush nuk do mund t’u ndërrojë bindjen shqiptarëve për dinjitetin e tyre të shquar, as edhe për identitetin e tyre kombëtar, për të cilin ata kanë të drejtë të jenë krenar. Me fjalë të tjera, të flasësh qëllimisht keq për dikë dhe pa argumente, tregon se kemi të bëjmë me një vogëlsi shpirtërore që mbulon me turp atë që shpif, sidomos kur nuk ia njeh, por edhe më keq, kur ia mohon vlerat një populli.

Çfarë mund të na thoni për zhvillimin e ngjarjeve në vendet e Ballkanit pas përmbysjes së regjimeve komuniste, sidomos për ato lidhur me shqiptarët?

Pas luftës së ftohtë, Evropa dy herë nuk ka qenë në gjendje të ndalojë genocidet dhe «spastrimet etnike» në Kontinentin e vet. Po të mos kishin ndërhyrë më në fund Shtetet e Bashkuara për të ndaluar masakrat në Bosnje dhe në Kosovë, asgjë nuk do ta kishte ndaluar regjimin e Milosheviçit të çonte deri në fund genocidin e tij të bërë kundër popullsive myslimane në Ballkan. Duhet pranuar se Evropa ka disa vështirësi në punën për të integruar në mënyrë të drejtë komunitetet e veta myslimane. Gjithashtu, mund të supozojmë se po të kishin qenë të krishterë 8 mijë burrat dhe djemtë që u masakruan në Srebrenicë, Mladiçi dhe Karaxhiçi nuk do t’i kishin shpëtuar proceseve të tyre për një kohë kaq të gjatë. Nga ana tjetër, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se afiliacionet fetare dhe konfesionale të shqiptarëve nuk kanë qenë shumë të rëndësishme për ta, as edhe qenësore në përcaktimin e identitetin të tyre kombëtar. Në fakt, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Hero i tyre kombëtar, ishte katolik kur ai luftonte kundër otomanëve për 25 vjet rresht, duke mbrojtur lirinë e Shqipërisë dhe duke penguar ushtritë otomane të mbërrinin deri në Vatikan. Nuk është një gjë e rastit që shumë Papë atë e kanë nderuar me emrin «Kampion i Kristianizmit». Kurse Volteri ka shkruar për të: «Po të kishte qenë në krye të Perandorisë Bizantine, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Konstantinopoli nuk do të kishte rënë në duart e Otomanëve», të cilët në atë kohë përfaqësonin Perandorinë më të fuqishme të botës. Edhe Napoleon Bonaparti e ka vlerësuar Skënderbeun si një nga katër «Gjeneralët» më të mëdhenj të Historisë. E vërteta është se shqiptarët po ta kishin konsideruar fenë islame dhe çdo fe tjetër më të rëndësishme se identitetin kombëtar nuk do ta kishin bërë Skënderbeun Hero të tyre kombëtar.

Si e shpjegoni ju çështjen e kthimit të shumicës së shqiptarëve në fenë myslimane dhe mendimin e ndokujt që e konsideron këtë fakt si negacion për hyrjen e Shqiptarëve në Evropë?

Unë mendoj se Evropa duhet të jetë krenare që të ketë në gjirin e saj kombin shqiptar, i cili duhet vlerësuar si shumë tolerant. Për shqiptarët çfarëdo që të jesh, mysliman, ortodoks, katolik, por edhe pa fe, je po aq shqiptar dhe po aq i respektuar sa gjithë të tjerët. Është e vërtetë se gjatë pushtimit otoman shumë shqiptarë u kthyen në mysliman. Por e vërteta është se kryengritjet më të shumta kundra Perandorisë Otomane janë bërë më tepër nga shqiptarët se sa nga popujt e tjerë të krishterë. Përkundrazi, ndërrimi i fesë për shqiptarët ka qenë një mjet për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar, dhe ata e kanë ruajtur këtë identitet për një kohë shumë të gjatë. Shumë kohë përpara ardhjes së qytetërimit sllav në Evropën Perëndimore dhe shumë përpara ardhjes së serbëve në Ballkan (ata erdhën në shekullin e VII – të pas Krishtit), shqiptarët kishin një qytetërim të tyre në juglindje të Evropës, dhe e kanë ruajtur kulturën e tyre gjatë shekujve, edhe pse janë ndodhur midis dy kulturave më të rëndësishme të Evropës të asaj kohe, greke dhe romake. Dhe kjo është një provë që flet në të mirë të shqiptarëve, po të kemi parasysh se në të njëjtën kohë shumë popuj të tjerë të Evropës u romanizuan, u gjermanizuan, dhe u sllavizuan. Te shqiptarët ky fenomen asimilimi ndodhi vetëm te popullsia ortodokse e atyre krahinave kufitare që jetonin afër serbëve dhe grekëve. Ata nuk i qëndruan presionit fetar të drejtuar nga kisha ortodokse, që është e njohur shumë mirë në histori për çështje asimilimi. Ata e humbën identitetin e tyre kombëtar për t’u bërë grekë, serbë e malazezë vetëm për të ruajtur fenë ortodokse. Shqiptarët katolikë e kanë patur më të lehtë ta ruajnë identitetin e tyre shqiptar, sigurisht nga mbështetja e fuqishme e Vatikanit. Shqiptarët që u konvertuan në myslimanë e patën më të lehtë ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar sepse feja myslimane ishte feja zyrtare e pushtuesit. Një meritë e tyre është fakti se ata morën vetëm kulturën osmane, dhe nuk u asimiluan prej tyre siç mund të ketë ndodhur me popuj të tjerë në Perandorinë otomane, të cilët humbën edhe gjuhën. E vërteta është se shqiptarët e konvertuar në fenë islame u sollën gjithmonë si vëllezër me shqiptarët ortodoksë e katolikë, duke ndihmuar këta të fundit në zgjidhjen e drejtë të shumë problemeve me administratën turke.

Pasi sqaruam çështjen e konvertimit fetar të shqiptarëve në Mesjetë, çfarë mund të na thoni ju për ilirët, paraardhësit e shqiptarëve të sotëm, ose më mirë si i njihni ju, shqiptarët e Lashtësisë?

Ilirët, paraardhës dhe stërgjyshër të shqiptarëve, janë regjistruar nga historia në Evropën Juglindore të paktën po aq herët sa edhe grekët. Ata janë unikë në Evropë, sepse prania e tyre në këtë zonë ngjitet të paktën deri në periudhën neolitike, siç e dëshmojnë arkeologjia, antropologjia dhe vazhdimësia kulturore dhe etnolinguistike. Grekët dhe shqiptarët kanë të përbashkët faktin se kanë gjuhë indoevropiane, që dallohen nga gjuhët e tjera indoevropiane, ashtu sikurse edhe armenishtja. Studimet e gjysmës së dytë të shekullit XX provojnë se shqipja është gjuha më e vjetër indoevropiane. Gjuha shqipe, ndryshe nga greqishtja dhe armenishtja e sanskritishtja, në shkrimin e saj përdor alfabetin latin, dhe shqiptohet ashtu sikurse shkruhet. Po të hyjmë në historinë e lashtësisë ne mund të gjejmë se Aleksandri i Madh, i biri i Olimpias, Aepirote – ilire, kishte si gjuhë amtare ilirishten. Greqishten atij ia mësoi Aristoteli. Shumë e përhapur është në botën e sotme shprehja «Një fitore si e Pirros». Kjo shprehje të kujton fitoren e famshme që Pirroja pati kur mundi romakët në Askulum në vitin 279 përpara Krishtit. Plutarku e ka vlerësuar Pirron si strategun më të madh të lashtësisë. Kjo betejë që humbën romakët mbeti në histori edhe si beteja që karakterizon fillimin e ngjitjes së tyre, kurse për Epirotët dhe për Pirron kjo betejë u shënua si pika e dekadencës së tyre. Bota e ka konsideruar Pirron si grek, edhe pse ai e mësoi greqishten në moshën 12 vjeçare në Aleksandri ku vazhdonte edukatën e tij princore. Eshtë e vërtetë se romakët i mundën ilirët pas luftërash dhe kryengritjesh që zgjatën me shekuj. Konsulli romak Paul Emili nuk mundi të nënshtrojë ilirianët, edhe pasi ai rrafshoi për tokë më se 70 qytete të tyre dhe dërgoi në Romë si skllevër 150.000 epirotë – ilirë, me në krye mbretin e tyre Genc. Sipas historianit romak Suetona, kryengritja e ilirëve në vitet 6 dhe 9 pas Krishtit ishte më e tmerrshmja nga të gjitha luftërat që Roma ka bërë në botën e jashtme pas luftërave Punike. Roma nuk arriti t’i asimilojë ilirët. Përkundrazi, janë me dhjetëra perandorët që Iliria i dha Romës, sidomos kur Perandoria romake filloi të bjerë. Midis perandorëve më të famshëm le të përmendim Konstantinin e Madh, që lindi në Kosovë. Qe Konstantini i Madh ai që u rreshtua vendosmërisht në anën e Kishës Kristiane me Ediktin e Milanos të vitit 313, i cili u garantoi të krishterëve një tolerancë që ishte e barabartë me njohjen e kristianizmit si fe e shtetit. Sundimi i Konstantinit të I – rë shkëlqeu me ndërtimin e monumenteve kristiane, prej të cilëve po përmend Vatikanin. Edhe Perandori Justiniani i I – rë ishte ilir. Ai la si trashëgimi të lavdishme veprën e tij legjislative Kodi i Justinianit, që ka mbetur edhe sot e kësaj dite themeli i të drejtës civile moderne. Përkthyesi i parë i Biblës në gjuhën latine ka qenë iliriani Shën Hieronim. Kompozitori edhe Himni kristian «Laudamus …», me përdorim edhe sot e kësaj dite, është vepër e kompozitorit Niket Dardani, edhe ai ilirian nga Kosova. Duhet të pranojmë se IIirët në Evropë kanë qenë një nga popujt e parë që u kristianizuan, kjo vërtetohet edhe nga Bibla. Kur Shën Pavli shkoi në Iliri për të kristianizuar ilirët, ai gjeti në Durrës një kishë kristiane.

A mund të na thoni diçka lidhur me shqiptarët që lanë gjurmë në historinë e Evropës gjatë Mesjetës, duke na e konkretizuar këtë edhe me emra?

Në Mesjetë shqiptarët i kanë dhënë udhëheqësa botës, udhëheqësa laikë ose fetarë dhe personalitete kulturore që i kalojnë kufijtë e Evropës. Disa Papë kanë qenë shqiptarë, për shembull Klementi i XI – të më i dalluari prej tyre. Por shqiptarët kanë qenë në krye të feve me rëndësi botërore, si në krye të fesë ortodokse ashtu edhe të asaj myslimane. Në histori gjejmë udhëheqës të shquar shqiptarë në shumë vende të Evropës, madje edhe prej atyre që ngandonjëherë kanë përcaktuar fatin e shumë betejave historike. Në vitin 1515 qe Merkur Bua me kalorësinë e lehtë të Venedikut, e përbërë e gjithë nga shqiptarë, që përcaktoi fitoren e betejës së Marinjanit, që historia e emëroi beteja e gjigantëve, dhe jo Françesku i I-rë i Francës 19 vjeç, që ato dy dite beteje mësoi se si luftohet. Shqiptarët i kanë dhënë shumë kryeministra dhe gjeneralë të shquar Perandorisë Otomane, vetëm familja Qyprili i dha 5 kryeministra Perandorisë. Shqiptarët i kanë dhënë shumë heronj të pavarësisë greke, prej të cilëve po përmend Kundurjotis, Marco Boçari, Kanaris, Kolokotroni, Karaiskaqis, Bubulina, që ishin në udhëheqje të revolucionit grek, prej të cilëve edhe disa kryeministra të shtetit të ri të pavarur grek. Rumania gjithashtu ka pasur një familje princore me origjinë shqiptare, Aleksandër dhe Vladimir Gjika, si dhe princesha Eleonora e njohur me emrin Dora Distria. Fraçesko Crispi, shok i Garibaldit, Kavurit e Macinit, që ka qenë një kryeministër i madh Italisë, ishte me origjinë shqiptare. Piktorë si Carpacci, Albani, etj, humanisti Leonic Tome, profesori i Kopernikut, dhe shumë personalitete shqiptare, janë nderuar nga historia e Italisë. Muhamet Aliu, reformatori i Egjiptit Modern, që historia franceze e ka quajtur “Napoleoni i Lindjes së Afërt”, qe shqiptari që themeloi dinastinë mbretërore të Egjiptit, që mbretëroi gati 150 vjet. Arkitekti i “Taxhmahallit“ në Agra të Indisë, kryevepra e arkitekturës islamike, ishte vepër e një shqiptari, ashtu sikurse edhe ”Xhamia Blu“ e shumë xhami të rëndësishme të Stambollit. Dhe më në fund Heroi Kombëtar i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një shembull gati universal i luftëtarit të lirisë, i nderuar në botën mbarë me përmendore, jo vetëm në Tiranë, Prishtinë e Shkup, po gjithashtu në Romë, Bruksel, Gjenevë, Detroid e Buenos Aires. Të tjera përmendore për Skënderbeun janë projektuar të ngrihen në Londër, Varshavë, Melburn, Manila etj. Kur shqiptarët kanë kontribuar kaq shumë për qytetërimin e njerëzimit, përse pak njerëz në botë janë të ndërgjegjshëm për këtë, përkundrazi, shumë as nuk kanë dashur ta pranojnë këtë realitet? Duhet thënë se një gjë e tillë shpjegohet edhe nga izolimi relativ jo pa qëllim i shqiptarëve nga komuniteti ndërkombëtar, dhe në mënyrë të veçantë nga ai evropian, që nga Kongresi i Berlinit e këtej (1878). Në të vërtetë, pas mundjes së turqve në luftën ruso – turke, shtypi ndërkombëtar filloi punën për të injoruar shqiptarët, duke i ndërruar emrin gadishullit të dikurshëm të Ilirisë, të banuar që nga kohët parahistorike dhe deri në ditët e sotme nga ilirianët – shqiptarët. Atë e pagëzuan me emrin e ri që ka edhe sot, Gadishulli i Ballkanit, vetëm duke u nisur nga vargu i maleve Ballkan. Përse iu vërsulën shqiptarëve? Pjesa më e madhe e diplomacisë konservatore europiane ka përdorur termin pexhoratif “turq“, për t’i cilësuar si turq të gjitha komunitetet myslimane në Ballkan, edhe pse shumica prej tyre nuk janë aspak turq. Evropa ka mbështetur dhe ka zmadhuar tokat e Greqisë, të Serbisë, dhe të Malit të Zi, në kurriz të shqiptarëve. Asnjëra nga fuqitë e mëdha eropiane nuk e ka mbështetur çështjen shqiptare kur shqiptarët krijuan Lidhjen e Prizrenit për të mbrojtur çështjen e tyre të drejtë kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit. Ata u lanë në baltë nga të gjithë.

A mund të na flitni për shqiptarët pas Kongresit të Berlinit dhe Lidhjes së Prizrenit deri në Pavarësi?

Duhet pranuar se krijimi i shtetit shqiptar është relativisht i vonshëm. Që nga dalja në arenën ndërkombëtare të çështjes shqiptare në saj të Lidhjes së Prizrenit, shqiptarët nuk kanë pushuar së luftuari për autonominë e tyre politike. Vetëm në vitin 1912 gjatë luftës së I – rë ballkanike, shqiptarët arritën të shpallin pavarësinë e tyre. Në vitin 1913 Konferenca Ndërkombëtare e Ambasadorëve në Londër e ka njohur pavarësinë e Shqipërisë dhe në një fare mënyre kufijtë e saj. Sigurisht duke e paguar shumë shtrenjtë këtë pavarësi, me gjysmën e territoreve të populluara nga shqiptarë që diplomacia botërore ia dhuroi serbëve, grekëve dhe malazezëve. Dhe që nga kjo kohë bota filloi të përdorë shprehjen “Shqipëri e Madhe“, duke i paraqitur keq shqiptarët dhe duke dekurajuar çdo dëshirë të tyre që të formojnë në mënyrë të ligjshme shtetin komb shqiptar. Qe kjo dhe padrejtësia historike ndaj shqiptarëve, që përgatiti një përmbysje të vërtetë në Ballkan, duke e cilësuar këtë të fundit “depo baruti”.

Si e njihni ju Shqipërinë dhe shqiptarët pas shpalljes së Pavarësisë kombëtare, dhe çfarë ndodhi me ta deri në mbarimin e Luftës së Parë botërore?

Në vitin 1912 Shqipëria e pavarur shpallet shtet asnjanës. E vërteta është se që nga pavarësia dhe në vitet që erdhën dhe gjatë gjithë shekullit të XX – të, Shqipëria, shteti më i vogël i Evropës, ka vuajtur agresione dhe pushtime të huaja më shumë se çdo shtet tjetër evropian. Për shqiptarët shekulli i XX-të filloi me ekspeditat ushtarake dënuese të Turqisë që shkatërruar vendin, për t’i nënshtruar shqiptarët kryengritës kundër pushtimit turk, në emër të vendosjes së rendit perandorak. Pastaj, gjatë Luftës së Parë Ballkanike, të gjitha palët ndërluftuese të këtij konflikti, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia, në emër të luftës kundër Turqisë, pushtuan toka shqiptare dhe luftën e bënë po në territore të banuara nga shqiptarë, duke dhunuar në këtë mënyrë asnjanësinë e Shqipërisë. Gjatë luftës së II –të ballkanike (1913), kur Serbia dhe Greqia u lidhën për të luftuar kundër Bullgarisë, shtetet ndërluftuese zhvilluan luftime edhe në toka të banuara nga shqiptarë. Edhe para shpërthimit të Luftës së I – rë Botërore, Greqia pushtoi Shqipërinë e Jugut, ku bëri një gjenocid të vërtetë, duke djegur 400 fshatra me popullsi shqiptare – myslimane. Në shembullin e gjenocidit që kishin bënë serbët kundër shqiptarëve në vitin 1912 e 1913. Serbia pushtoi përsëri Shqipërinë e Veriut (1915) kur serbët ishin në luftë kundër ushtrisë austro – hungareze. Merrni me mend Shqipërinë e Veriut që u bë prapë fushë lufte. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, italianët filluan pushtimin e tokave të Shqipërisë Jugperëndimore (1915). Edhe francezët dërguan ushtritë e tyre për të pushtuar Shqipërinë Juglindore në vitin 1915. Ja se si Evropianët e kanë trajtuar një shtet sovran dhe asnjanës të vetë Evropës.

Kur mbaroi Lufta e Parë Botërore çfarë ndodhi me Shqipërinë dhe shqiptarët?

Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, fuqitë e mëdha ndërluftuese, fituese ose të mundura, u tërhoqën nga Shqipëria, por ushtria italiane, ajo greke dhe ajo serbe, mbetën përsëri në territorin e shtetit shqiptar asnjanës. Në vitin 1920, në Kongresin e Lushnjës, patriotët shqiptarë zgjodhën Qeverinë e re me kryeqytet Tiranën dhe ndihmuan kryengritjen popullore kombëtare shqiptare, e cila synonte të çlironte krejtësisht vendin nga forcat e huaja pushtuese. Populli kryengritës bëri “ Luftën e Vlorës”, duke hedhur në det divizionet italiane nga Shqipëria. Një luftë e drejtë kjo, por gjithmonë ishte një luftë në territorin e Shqipërisë, me të gjitha rrethanat shkatërrimtare. Kjo luftë e ngriti prestigjin kombëtar të shqiptarëve. Kështu, më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua si anëtare e Lidhjeve së Kombeve, e sapo krijuar në Gjenevë. Dhe më në fund, si Grekët dhe Serbët u detyruan të largohen nga Shqipëria, këtë here nën presionin e Lidhjes së Kombeve. Sigurisht, pasi Traktati i Paqes së Versajës e sanksionoi këtë herë sakatimin e Shqipërisë, duke u lënë jashtë kufijve shtetërorë më se gjysmën e territoreve të banuara nga Shqiptarë. Një gabim i rëndë ky i diplomacisë evropiane, që dëmtoi shumë vetëm shqiptarët. Por më në fund edhe provoi se pa zgjidhjen e çështjes shqiptare nuk mund të ketë paqe e siguri në Ballkan. Këtë e ka më në fund të qartë diplomacia evropiane dhe botërore.

Po cili qe fati i Shqipërisë dhe shqiptarëve midis Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore?

Shqipëria bëhet përsëri një vend i lire dhe i pavarur, duke jetuar të vetmen periudhë paqeje, atë të viteve 1921 – 1939, por jo pa probleme politike, ekonomike, dhe social – kulturore. Pas 5 shekujsh pushtimi otoman, Shqipëria arrin të shpallë republikën e saj dhe mbretërinë e saj, me në krye Mbretin Zogu i Parë.

Cili është qëndrimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve kundër agresionit fashist Italian gjatë Luftës së Dytë botërore?

Në Prill të vitit 1939 re të zeza i afrohen përsëri Shqipërisë, kur ky shtet që nuk ka sulmuar kurrë një vend tjetër u sulmua dhe u pushtua nga Italia fashiste, por jo pa i bërë një qëndresë të armatosur asaj fuqie të madhe. U derdh gjak në Shqipëri për mbrojtjen e pavarësisë, në vigjiljen e shpalljes së Luftës së II – të Botërore, kjo pasi dy shtete me emër të mirë evropian iu dorëzuan Gjermanisë naziste pa shkrepur asnjë pushkë. Në shtator të vitit 1939, kur shpërtheu lufta e II – Botërore, Shqipëria asnjanëse, por e pushtuar, shërbeu sërish si fushë lufte, kur ajo nuk i kishte deklaruar luftë asnjë shteti tjetër. Në vitin 1940, pas agresionit të ushtrisë fashiste italiane kundër Greqisë, historia e deshi që grekët që mbrojtën vendin e tyre kundër italianëve zhvilluan luftimet më të shumta në tokën e Shqipërisë së Jugut. Në vitin 1941 ushtria jugosllave në luftë për mbrojtje kundër agresionit fashist italian pati si fushë lufte territore të banuara nga shqiptarë. Ushtritë hitleriane pushtuan gati gjithë Ballkanin, dhe kur Italia kapitulloi dhe iu dorëzua aleatëve (1943) atëherë Gjermania naziste zëvendësoi Italinë fashiste, duke pushtuar ushtarakisht Shqipërinë.

Pas gjithë sa na thatë, del se mbi shqiptarët kanë rënë të gjitha pasojat e konflikteve ushtarake që kanë ndodhur në Evrope gjatë shekullit XX?

Nuk ka asnjë dyshim. Le të dale një historian për të kundërshtuar të vërtetën tragjike shqiptare, duke na treguar një popull a shtet tjetër në Evropë që të ketë pësuar më shumë pushtime dhe më shumë luftëra të zhvilluara në territorin e tij se Shqiptarët asnjanës, e për më tepër që nga çdo konflikt të kenë dale jo vetëm pa asnjë përfitim, por me humbjet që bota u ka shkaktuar atyre. Dhe si për ironi të hidhur të fatit, fatkeqësia, por edhe fatmirësia, e deshi që shqiptarët të dilnin me rezultate më të mira, për here të pare në historinë e tyre moderne, nga lufta e fundit që u zhvillua në Evropë në shekullin e XX-të, po në territorin e shqiptarëve, Lufta e ”përbotshme“ e Kosovës. Ajo preku, por edhe shpërbleu, vetëm shqiptarët. A është e drejtë që pas gjithë këtyre luftërave të zhvilluara në territoret shqiptare gjatë shekullit 20-të, shekulli që u karakterizua me përparimet më të mëdha në historinë e njerëzimit, duke sjellë dhe përmirësimin dhe ngritjen e mirëqenies materiale e kulturore të të gjithë popujve të botës, të ketë akoma njerëz, të cilët qëllimisht të mos duan të kuptojnë se pse Shqipëria mbeti shteti më i varfër i Evropës!

Po vetë shqiptarët, që kanë vuajtur kaq shumë nga luftërat që shtetet e tjerë kanë zhvilluar padrejtësisht në territoret e tyre, a kanë bërë ata vetë luftëra gjatë shekullit XX dhe përse?

Po, shqiptarët kanë bërë vetëm luftëra për çlirim kombëtar dhe për mbrojtjen e pavarësisë së tyre, sigurisht në një masë që i përgjigjet atyre si shteti më i vogël i Evropës, edhe pse i provuar historikisht si më i vjetri. Ata vetë kanë organizuar vetëm luftëra për çlirim, dhe jo luftëra për të pushtuar vende të tjera. Kështu, në shembullin e luftës së Vlorës ata organizuan luftën e çlirimit kombëtar, pa pasur asnjë ndihmë të huaj. Shqiptarët bënë Luftën e tyre për mbrojtjen e integritetit tokësor nga sulmi i Italisë fashiste. Dhe gjatë luftës së Dytë botërore, edhe pse pati në Shqipëri një rezistencë popullore nacionaliste kundër pushtuesit italian e gjerman, atje u bë një luftë e organizuar kundër pushtuesit për çlirim kombëtar nga zgjedha nazi-fashite. Është e vërtetë që kjo Luftë u organizua dhe u drejtua nga komunistët, të cilët në fillim të luftës përfaqësonin vetëm disa qindra vetë. Populli shqiptar, i etur për liri, të rinjtë e sidomos rinia studentore, madje dhe nga familje të pasura, pse jo dhe nacionalistë me emër, ndoqën komunistët, pa e ditur se disa prej udhëheqjes së tyre ishin të drejtuar në mënyrë të fshehtë nga komunistë jugosllavë. Këta të fundit nuk ishin aspak të interesuar për bashkimin e të gjitha forcave kombëtare në luftën për çlirim. Ata bënë të dështojnë të gjitha përpjekjet e patriotëve shqiptarë për një demokratizim të luftës kombëtare për çlirim. Po të njëjtën gjë komunistët jugosllavë e kishin bërë në vendin e tyre. Kjo strategji e huaj, e importuar nga komunistët shqiptarë, në krye të të cilëve doli diktatori i ardhshëm Enver Hoxha, pati pasoja fatale, shumë të këqia për kombin shqiptar dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Historia provoi se në Shqipëri erdhi në fuqi regjimi komunist më i egër që Evropa ka pare në historinë e vet. Duhet të pranojmë se shqiptarët e kanë organizuar mirë luftën e tyre për çlirim, gjë që u provua nga fakti se gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur luftëtarët shqiptarë u konsideruan shokë lufte nga luftëtarët e aleancës ushtarake anglo – sovieto – amerikane. Shqiptarët krijuan brigadat e tyre partizane, divizionet e tyre dhe korparmatat e tyre, të përbëra nga burra dhe gra vullnetarë. Ata e çliruan vendin e tyre nën sundimin nazist pa ndihmën e drejtpërdrejtë të ushtrive aleate, britanike, ruse ose amerikane. Sigurisht çlirimi u favorizua nga gjendja ushtarake e ushtrive naziste që tërhiqeshin nga Ballkani në fund të vitit 1944, nën presionin e të gjitha fronteve të tjera të luftës në Evropë. Ka në botë qarqe të interesuara, sidomos hebrenjtë e botës, që shprehin mirënjohjen e tyre ndaj popullit shqiptar që shpëtoi nga vdekja e sigurt të gjithë hebrenjtë gjatë pushtimit nazi-fashist. Duhet t’u njohim shqiptarëve se ata në të gjitha rrethanat, sidomos gjatë pushtimit nazi – fashist, arritën të mbronin hebrenjtë e tyre nga pushtuesi, por edhe të gjithë hebrenjtë që erdhën nga Evropa për t’u strehuar në Shqipëri, ku të gjithë shpëtuan gjallë, pa asnjë përjashtim. Dhe për të qenë të drejtë, duhet t’u njohim shqiptarëve se gjatë pushtimit nazist edhe disa funksionarë të administratës shqiptare u shpëtuan jetën qindra hebrenjve. Ja një nga vendet shumë të rralla të Evropës, madje i vetmi, që ka mbrojtur me të vërtetë hebrenjtë nga internimi dhe asgjësimi në kampet e përqendrimit nazist.

Shqipëria u çlirua. Lufta e Dytë Botërore mori fund. Po çfarë u bë me Shqipërinë dhe shqiptarët?

Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, aleatët e perëndimit u kujdesën shumë për të mos lejuar që në Greqi të fitonin komunistët, dhe ajo të mbetej në kampin komunist. Greqia mbeti me Perëndimin. Por Shqipërinë aleatët ia lanë bllokut të lindjes, edhe pse e dinin mirë se shqiptarët, si edhe grekët, nuk bënin pjesë në popujt “sllavë”. Dhe ç’është më e keqja, ata e dinin se një pjesë e mirë e popullit shqiptar nuk ishin me komunistët. Ata e njihnin mirë këtë realitet. Dhe ja fati i popullit shqiptar, kur ai iu la bllokut të lindjes, për të provuar kështu të gjitha tmerret e sistemit komunist. Si fillim diktatura komuniste e Enver Hoxhës bëri një politikë të jashtme shumë të keqe, duke u prishur në mënyrë të prerë me aleatët perëndimorë të Lufës, anglezët dhe amerikanët. Një prishje tjetër aleance ndodhi kur në vitin 1948 u prenë marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë e Titos. Pastaj i erdhi radha prishjes me Moskën në vitin 1961. Dhe më ne fund me Kinën komuniste në vitin 1978. Sigurisht, diktatori Enver Hoxha asgjësoi dhe zhduki fizikisht pjesën më të madhe të shokëve të afërt të luftës, duke vazhduar deri në fund të jetës së tij luftën e klasave, të ushtruar kundër një populli të tërë. Ai nuk kërkoi të bënte aleanca strategjike, por preferoi të ndërtojë 700.000 bunkere në të gjithë vendin. Enver Hoxha nuk pranoi asnjë ndihmë të perëndimit “kapitalist”, madje as edhe ndihmën e Kryqit të Kuq ndërkombëtar, të destinuar për të dëmtuarit nga tërmetet dhe fatkeqësi të tjera natyrore. Kjo ka ndodhur në të njëjtën kohë që drejt Jugosllavisë shkonin miliarda dollarë me vlerën e asaj kohe, prej të cilave vetëm një pjesë shumë e vogël caktohej për shqiptarët e Kosovës. Qeveria Jugosllave, në vend që t’u jepte shqiptarëve të Kosovës mundësi pune dhe vende në administratë e kulturë, ajo parapëlqente t’i punësonte jashtë shtetit si emigrantë. Po t’ju japim si shembull Zvicrën, mund t’ju themi se në Zvicër kanë emigruar më shume shqiptarë nga ish Jugosllavia se në asnje vend tjetër të botës, po të merret në përpjestim me popullsinë dhe territorin që ka ky shtet relativisht i vogël i Evropës. Me këtë rast më lejoni të bëj konstatimin se Titoja, me anë të emigracionit, bëri një spastrim etnik të shqiptarëve të Kosovës nga Jugosllavia.

Po pas vdekjes së Enver Hoxhës çfarë mund të na thoni për shqiptarët?

Me vdekjen e diktatorit shqiptar Enver Hoxha, në vitin 1985, Shqipëria mund të quhej ekonomikisht e vdekur nga politika izolacioniste që bëri regjimi. Megjithatë Shqipëria dhe shqiptarët, në vitin 1992, pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri, filluan të hyjnë më në fund në rrugën e pluralizmit demokratik, që po bën demokratizimin e vendit në mënyrë të ngadalshme, një specifikë kjo shqiptare. Duhet thënë për Shqipërinë dhe shqiptarët, se me gjithë mungesën e madhe të mjeteve, ajo ka ndihmuar me të vërtetë për ruajtjen e paqes dhe të stabilizimit në Ballkan. Mjafton të kujtosh kohën kur Milosheviçi, në muajt Mars dhe Prill 1999, urdhëroi forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe t’i sulen Kosovës për të përzënë të gjithë shqiptarët nga Kosova. Për pak javë 900.000 refugjatë shqiptarë u detyruan të dilnin nga kufijtë e Kosovës, për në Shqipëri, Maqedoni, Mal i Zi, dhe kudo në botë, ku ata u pritën ngrohtësisht nga familjet shqiptare, sigurisht dhe nga shteti shqiptar, kudo që vajtën. Mikpritja tradicionale shqiptare bëri që gjenocidi që shkaktoi një katastrofë humanitare, që nuk ishte parë kurrë në Evropë që nga Lufta e II – të Botërore, u zgjidh nga shqiptarët, të cilët i hoqën të gjitha shqetësimet Evropës. (Le të kujtojmë se çfarë ndodhi në Ruanda disa vjet para genocidit të Kosovës, ku u masakruan brenda 100 ditëve, 900.000 ruandezë). Le t’u njihet si meritë e refugjatëve shqiptarë të Kosovës, viktima të genocidit serb të Milosheviçit, kthimi i menjëhershëm në vendin e tyre të shkatërruar, ku nuk i priste gjë tjetër veç shtëpive të rrafshuara dhe familjarë të masakruar që duhej të varroseshin dhe rivarroseshin. Le të shërbejë ky gjest i mire i kthimit në vatrat e veta si shembull për popujt e tjerë të botës. Ky qe patriotizmi i shqiptarëve, që vërtetoi më së miri se shqiptarët nuk janë ikësa, siç e kishin bërë zakon mediat t’i quanin shqiptarët në Evropë.

A mund të na flitni për merita të tjera që i kanë nderuar shqiptarët gjatë shekujve?

Një shembull i mire për këtë komb është fakti se gjatë historisë së tyre shqiptarët nuk kanë bërë kurrë një luftë civile midis tyre, por as edhe luftë fetare, kur dihet mire se historia e shumë popujve të tjerë të Evropës është e mbushur me luftëra fetare dhe civile.

A kanë bërë shqiptarët në historinë e re luftëra pushtuese, qoftë në aleanca, ose masakra kundër popujve të tjerë?

Shqiptarët nuk kanë sulmuar asnjë komb tjetër dhe nuk kanë marrë pjesë në masakra. Është e njohur se shqiptarët e kanë për turp të vrasin një armik që dorëzohet. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas kapitullimit të Italisë fashiste (1943), shqiptarët me traditën e tyre të mikpritjes strehuan ushtrinë italiane, edhe pse një ushtri fashiste, dikur pushtuese, kishte vrarë, djegur e shkretuar vendin. Ata e prishën realizimin e planit nazist gjerman për internimin në Gjermani të ushtrisë italiane. Shqiptarët fill mbas luftës së II – të botërore i riatdhesuan të gjithë ushtarët italianë. Për të vlerësuar fisnikërinë dhe vlerën e këtij qëndrimi tepër humanitar ndaj ushtrisë dhe populli italian në atë epokë historike, mjafton të kujtojmë se mijëra ushtarakë italianë pas kapitullimi të Italisë (1943) u masakruan nga nazistët në ishullin grek të Qefalonisë.

Ju si historian a vini re se shqiptarëve nuk u janë shpërblyer të mirat që u kanë bërë të tjerëve?

Edhe kjo është një e vërtetë, të cilën po ju a ilustroj me një shembull historik të jetuar nga ne të gjithë në sajë të informimit direkt nga televizioni botëror. Kështu, për ironi të fatit, gjysmë shekulli më vonë nga shpëtimi i ushtrisë italiane nga shqiptarët në kohën e luftës, qeveria italiane harroi gjestin fisnik të tyre. Në fakt, qeveria italiane në vitin 1991 i priti shumë keq 15.000 refugjatët e eksodit shqiptar, duke i mbyllur për disa ditë në stadiumin e Barit, në atë vapë gushti, duke u hedhur ushqimet dhe ujin me helikopter nga qielli. Ky qëndrim nuk i përgjigjej sjelljes plot mirëkuptim të popullit Italian po në atë kohë, i cili me iniciativën e vet u hapi dyert refugjatëve shqiptarë fatkeq, edhe pse koha provoi se ndonjëri prej tyre nuk e meritoi atë trajtim të mirë. E vërteta është se shqiptarët pas gjysmë shekulli dilnin për herë të parë nga vend i tyre, ku nuk kishin asnjë të drejtë emigrimi. Për fat të keq, një tjetër plagë iu hap popullit shqiptar nga një pjesë e të rinjve që nuk kishin asgjë për të humbur duke lënë vendin e tyre, përveç prangave të diktaturës komuniste. Qe pikërisht ky kontingjent refugjatësh që u prit me krahë të hapura dhe u manipulua nga mafia, duke u përfshirë në trafik droge dhe prostitucioni, gjëra këto që ata nuk i kishin njohur aspak në vendin e tyre.

A jeni optimist për shqiptarët se një ditë ata do të ecin me të njëjtin hap të ndonjë vendi të përparuar të Lindjes komuniste?

Unë kam besim tek e ardhmja e shqiptarëve të Ballkanit. Është një nga popujt më të rinj të Evropës. Shqiptarët kanë mundësi të mëdha në vendin e tyre për zhvillimin e bujqësisë, shfrytëzimin racional të pyjeve, rritjen e blegtorisë, peshkimin. Në territoret e tyre ka rezerva kromi, bakri, boksiti, qymyri, rezerva hidro – energjie etj. Në Shqipëri mund të zhvillohet shumë mirë turizmi në zonat malore, por edhe në 440 kilometra bregdet gati të virgjër të detit Adriatik dhe të detit Jon, deri diku në qendër të Evropës, në 41 gradë të gjerësisë veriore. Dhe shqiptarët nuk kanë mbetur në vend. Pas krizave që ata pësuan, vihet re se brezi i ri i është futur ndërtimit të vendit, duke ndryshuar faqen e fshatrave dhe qyteteve kryesore me godina të një teknologjie që nuk ndryshon shumë nga ajo e vendeve të tjera evropiane. Të huajt i çmojnë hotelet, restorantet dhe baret, pse jo dhe shërbimin e shqiptarëve, të cilët nuk qëndrojnë më poshtë nga çfarë ata gjejnë në vendet e tjera, qofshin me tradita shekullore në turizëm. Sigurisht, në Shqipëri vihen re edhe raste ndërtimesh të egra, fryt i mungesës apo zbatimit të ligjshmërisë. Por dhe kjo ka shpjegimin e vet. Ekonomia nuk mund të presë, duhet të shkojë përpara. U takon legjislatorëve të nxjerrin ligjet dhe të kërkojnë që ato të zbatohen. Emigracioni i ri i shqiptarëve, pas shembjes së regjimeve komuniste në Ballkan, është një dukuri krejt e re, me specifikën e vet, në këtë etapë të historisë së tyre, le ta quajmë këtë etapën e demokratizimit a të tranzicioit drejt sistemit ekonomik kapitalist, me globalizim ose jo. Ajo që është specifike dhe masive te emigrantët e rinj shqiptarë është patriotizmi, dashuria e madhe per vendin e tyre, dhe çuditërisht krenaria e tyre atavike. Dhe nuk e kanë pasur të lehtë ta ruajnë dhe ta manifestojnë atë krenari shqiptare, kur mediat e të gjitha vendeve kanë paraqitur si shqiptarë te publiku i tyre, gjithmonë vetëm ata mijëra të rinjë shqiptarë të hapërdarë nëpër Evropë që merren me veprimtari të jashtëligjshme. Studiuesit kanë nxjerrë se emigrantët shqiptarë, më shumë se emigrantë të popujve të tjerë, janë bërë një faktor me peshë jo vetëm për përmirësimin e jetës, por edhe të kulturës e sidomos të ekonomisë së atdheut që ata lanë pas në kohën e eksodeve biblike. Sot duhet theksuar se brenda një viti ata dërgojnë në atdhe, vetëm nëpërmjet insitucioneve bankare, një miliard euro. Dhe kjo është pare me djersë që i dërgohet atdheut për ndihmë. Merreni me mend se sa mund të investojnë emigrantët kur shteti shqiptar të sigurojë investimet!

Ju keni punuar për një integrim të të huajve ne vendin tuaj. A mund të na thoni diçka për shqiptarët?

Sot shumica e shqiptarëve janë integruar mirë në pjesën më të madhe të vendeve ku janë sistemuar. Ata kontribuojnë për begatinë ekonomike dhe kulturore të vendit mikpritës. Ata kanë hyrë me sukses në biznes, por edhe në universitete, ku mund të gjesh profesora të rinj shqiptarë, si edhe poetë e shkrimtarë, madje edhe një kandidat për çmim “Nobel”, shkrimtari Ismail Kadare, i lexuar nga një publik i gjerë. Shqiptarët mund t’i gjesh artista në opera, në kinematografi, sportistë të duartrokitur në stadiume dhe ringe boksi etj. Ata ndjekin shembullin e patriotëve të tyre në shumë fusha të jetës, si Nënë Tereza, çmim Nobel i Paqes (1976), që e ka ndjerë veten e saj krenare për origjinën e saj shqiptare. Cmimi tjetër Nobel për mjekësi (1998), Doktor Ferid Murat, e ka ndjerë veten krenar për origjinën shqiptare, ashtu si edhe shefi i madh i orkestrës botërisht i njohur, Herbert Fon Karajan, e përmedëte origjinën e tij shqiptare. Unë mendoj se emigrantët shqiptarë, duke vazhduar të ecin në rrugën e mbarë që kujtoj se kanë nisur, do të formojnë një ditë lobet e tyre në botë, në shembullin e emigracioneve të popujve të tjerë. Duke njohur mentalitetin shqiptar, u kujtoj atyre të veprojnë në shembullin e Skenderbeut, i cili arriti t’i bashkojë gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, kundër pushtuesit otoman, vetëm duke u paraqitur te ata si i pari midis të barabartëve (primus inter pares). Koha provoi se parësia i mbeti Skënderbeut.

A njihni ju vlera morale të popullit shqiptar që mund t’ia rekomandoni brezit të sotëm, për të nisur rilindjen social-ekonomike me frymë kombëtare, në përshtatje me kërkesat e kohës?

Mendoj se shqiptarët për të kaluar vështirësitë e sotme duhet të luftojnë korrupsionin shtetëror, një fenomen shoqëror ky që lulëzon edhe në vendet e tjera të Lindjes. Ata duhet të bazohen në mjetet e ligjshme, duke kërkuar një parlament në aktivitet dhe politikanë që respektojnë cilësinë e ligjeve, dhe që janë të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që populli u ka besuar. Shqiptarët, për tu ringritur, duhet të kërkojnë forcën dhe frymëzimin te historia e kaluar e Atdheut të tyre. Në të vërtetë, në takimet e para ndërkombëtare të “Memories së ndarë“ që u zhvilluan në Paris, më 26 e 27 tetor të 2006, me delegatë nga 24 vende të botës, për të ndërtuar lidhje të forta për vlerat e përbashkëta, shumica e delegatëve deklaruan se rinia e botës këto 7 vjetët e fundit i është drejtuar patriotizmit. Sipas meje ky konstatim i drejtë dhe i bazuar duhet të kihet parasysh edhe nga shqiptarët. Ata mund të gjejnë në historinë e tyre shumë shembuj patriotizmi të njohura ndërkombëtarisht. Në të vërtetë, shqiptarët e jugperëndimit të Shqipërisë, pasardhës të epokës Skënderbejane, në vitin 1571 u ngritën kundër sundimit osman, të nxitur edhe nga Venediku. Por ky i fundit, pas fitores së betejës detare të Lepantos, nënshkroi paqen me Turqinë e i la në fatin e tyre shqiptarët kryengritës. Mbrojtësit e kështjellës së Sopot – Borshit në jug të Shqipërisë, për të mos rënë të gjallë në dorë të Turqëve, i vunë zjarrin depove të barutit, duke u hedhur në erë me 500 ushtarë turq (Contarini f.30). Ata bënë një vepër heroike, për të cilën edhe vetë Evropa duhet të jetë krenare. Kjo sakrificë sublime është bëre nga shqiptarët në një kohë kur Franca dhe popuj të tjerë të botës po zhyteshin në një cikël të neveritshëm masakrash ”fetare“ midis qytetarëve të vet. Gati në të njëjtën kohë kanë ndodhur “Masakrat e Natës së Shën Bartolomeut“ në Paris. Vlen të permendet se ky vetflijim i luftëtarëve shqiptarë të Borshit për të ruajtur lirinë e tyre nuk ka qenë një rast i vetëm në historinë e këtij. Në të vërtetë, në vitin 1826, në Misolong të Korintit, shokët e luftës të shqiptarit Marko Boçari, një nga krerët kryesorë të luftës së pavarësisë greke, i vunë zjarrin depove të barutit, duke u hedhur në erë, jo pa marrë me vehte shumë armiq turq (Petit Robert 2). Në vitin 1862, Oso Kuka, personazh historik i bërë i pavdekshëm nga poeti kombëtar shqiptar At Gjergj Fishta, i vuri zjarrin depove të barutit duke u hedhur në erë, për të mbrojtur tokat shqiptare, se sa t’i dorëzohej i gjallë armikut (Për sqarim po shtoj se dy toskët që përmend nëpër kolokiumet shkencore se u flijuan me Oso Kukën, ishin nga Borshi). Dhe për të mos ndërprerë listën e heronjve shqiptarë në të gjitha epokat historike, unë po përmend heroin shqiptar të kohës sonë Adem Jashari, i cili në vigjiljen e luftës së Kosovës, bashkë me 22 anëtarët e familjes së vet luftoi dhe u vetë flijua, për të mos lejuar që forcat e policisë dhe ushtrisë serbe të kalonin pragun e shtëpisë së tij. Nga këto katër gjeste heroike të bëra gjatë shekujve mund të kuptojmë se patriotizmi është një virtyt i shqiptarëve të të gjitha trevave të Ballkanit, dhe kudo në botë. Jo më kot Garibaldi, hero i bashkimit të Italisë, ka thënë: ”Shqiptarët janë heronj të dalluar në të gjitha luftërat për liri“. Dhe Lamartini, poeti dhe politikani i madh francez, ka shkruar: “Dihet se Homeri gjeti në Shqipëri Akilin, Greqia Aleksadrin e Madh, Turqia Skenderbeun, heronj nga e njëjta racë e nga i njëjti gjak.“

Me eksperiencën që keni fituar, edhe në studimet e vendeve të sotme të Ballkanit, çfarë mund të na thoni lidhur me zgjidhjen e drejtë që duhet të gjendet për ta paqësuar Ballkanin?

Mendoj se virusi që ka shkaktuar sëmundjen, që u bë një epidemi, i cili ka brejtur dhe ka vënë në rrezik demokracitë e reja në zhvillim e sipër në vendet e Juglindjes së Evropës, ky virus mund të asgjësohet në Ballkan po qe se ka një vullnet të mirë te qeveritarët e atyre vendeve, si për të kontrolluar nacionalizmin e egër, ashtu edhe korrupsionin shtetëror. Kjo mund të bëhet vetëm po qe se i jepet një pavarësi e vërtetë popujve dhe kombeve, si edhe një autonomi e paevitueshme minoriteteve kombëtare, kudo qofshin në Ballkan.

Dr. Alexandre Lambert, është historian zvicerian, që ka si gjuhë amtare gjermanishten. Eshtë doktoruar në Relacione Ndërkombëtare në Institutin Universitar të Studimeve të larta Ndërkombëtare në Gjenevë dhe është Drejtor Akademik i “School of International Training” në Gjenevë. Ai është autor i disa librave dhe artikujve në fushën e relacioneve ndërkombëtare të filozofisë politike, të politikës së sigurisë dhe lidhjeve civile-ushtarake. Eshtë ekspert i OSBE dhe i kontrollit demokratik të reformës së Forcave të Armatosura. Ai ka dhënë kontributin e vet në shumë takime ndërkombëtare në Amerikë, në Evropë, në Kaukaz, në Azinë Qendrore dhe në veçanti në Evropën Juglindore, si në Slloveni, Kroaci, Serbi, Bosnjë, Mal të Zi, e në shumë forume ndërkombëtare, si atë të Kran Montanës, ku ka njohur delegacionet e Shqipërisë, të Kosovës etj. Ai e ka vizituar Shqipërinë dhe ka filluar të njohë çështjen shqiptare që në rini të tij me kërkimet e bëra në Arkivin e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

The post Aleksandre Lambert: Evropa e sabotoi historinë tuaj në Shekullin XIX, kur Ilirinë e quajti Ballkan first appeared on In For.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *