TË FUNDIT

Qytetarët nga marshi për drejtësi: Liria nuk ka kuptim pa ish-krerët e UÇK-së

Qytetarët nga marshi për drejtësi: Liria nuk ka kuptim pa ish-krerët e UÇK-së

“Marshi për Drejtësi”, mblodhi sot në sheshet e Prishtinës, mijëra qytetarë nga i gjithë vendi. Ata janë shprehur të bindur në pafajësinë e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare, të cilët po mbahen në Hagë.

Ky marsh për ata ishte madhështor dhe i qëlluar, edhe pse disa thonë se do të duhej të mbahet më herët. Kishte edhe nga ata që thanë se nuk do të duhej të flas askush nga politika, pasi UÇK-ja, nuk është e asnjë partie por e popullit.

Rabije Bytyqi, nënkryetare e aleancës së gruas, tha se dëshira që drejtësia të jetë jopolitike dhe njerëzore është e madhe, gjersa thekson se e pret rikthimin e çlirimtarëve të Kosovës.

“Sot kemi ardhur të organizuar për marshin e UÇK-së. Ndoshta është pak i vonuar, por është shumë i qëlluar, por është dashur të jetë më herët, sepse ushtarët tanë po mbahen padrejtësisht në Hagë. Ata janë strategët e luftës, të çlirimit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe meritojnë të jenë të lirë. Neve na ka prekur plaga, unë vëllezërit i kam pasur në luftë, jam motër e veteranëve, të Jahirit, Ilirit, Bajramit dhe Ramadan Bytyqit. Ne ndjejmë në shpirt vuajtjen për familjarët që mbahen padrejtësisht, si Thaçi, Veseli, e të gjithë të tjerët. Kam dëshirë që drejtësia të jetë jopolitike, të jetë njerëzore dhe çlirimtarët tanë të kthehen, të buzëqesh Kosova dhe ta gëzojmë lirinë të gjithë së bashku”, tha ajo.

Qytetari Fetah Krapi thotë se ka qenë bashkëluftëtar me ata dhe asnjë nga ish-krerët e UÇK-së, nuk ka bërë krime.

“Kanë luftuar për çlirimin e vendit dhe janë të pafajshëm. Jam bashkëluftuar në Brigadën 121 “Kumanova” dhe gjatë luftës kemi qenë bashkë, dhe asnjë prej tyre nuk kanë bërë krime dhe jam i sigurtë që do të lirohen të pafajshëm… Ne nesër presim të triumfojë drejtësia”, theksoi ai.

Gani Uka kritikon partiakët që morën pjesë në fjalimin gjatë marshit të sotëm. Ai shton se UÇK-ja nuk i takon asnjë partie, por vetëm popullit.

“Ne e mbështesim UÇK-në gjithmonë, aq sa të ekzistojë shqiptaria, UÇK-ja mbështetët… Unë kam marrë pjesë dhe i mbështesë gjithmonë. Unë jam vetë UÇK, por edhe pa qenë farë, prapë i mbështes. Në fund të fjalimit, e “prishën”, ngase hynë nga partia dhe UÇK-ja, nuk është e asnjë partie. Ajo është e popullit dhe do të jetë e popullit”, shtoi ai.

Të njëjtën mbështetje për ta, ka edhe qytetari Feti Haliti, i cili thotë se pa ish-krerët që po mbahen në Hagë, liria nuk ka kuptim.

“Nëse ata nuk i mbështesim, ne sot nuk do të ishin sot këtu asnjë. Ky shesh do të ishte i zbrazet dhe pa ta, liria nuk ka kuptim. Kam qenë pjesë e marshit dhe do të jemi gjithherë përkrahës së tyre”, shtoi ai.

Qytetarë të tjerë u shprehën se emocionet që i përjetuan gjatë ditës së sotme, i patën vetëm gjatë kohës së çlirimit nga lufta në Kosovës. Ata theksojnë se populli i Kosovës ka vuajtur ndër vite dhe është një popull që nuk i ka bërë padrejtësi askujt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *