TË FUNDIT

Procesi i stërzgjatur i emërimit të kryeprokurorit të ri të shtetit

Procesi i stërzgjatur i emërimit të kryeprokurorit të ri të shtetit

Këtë muaj bëhen një vit prej kur pozita e kryeprokurorit të shtetit udhëhiqet me ushtrues detyre. Emri i Blerim Isufajt, propozim i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), vijon të qëndrojë në tavolinën e presidentes, Vjosa Osmani, e cila nuk ka marrë ende asnjë vendim për emërimin e kryeprokurorit të ri.

Organizatat e shoqërisë civile kërkojnë nga Osmani që t’i jap fund këtij procesi të stërzgjatur duke dekretuar Isufjan, ose duke e kthyer të gjithë procesin në pikën zero.

Drejtoresha e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli, vlerëson se tashmë pas vendimit të Gjykatës Kushtetueses që vendosi se Ligji për KPK-në është jokushtetues, presidentja Osmani nuk ka më arsye të mos vendosë për dekretimin apo jo të kandidatit të propozuar.

“Konsideroj se është stërzgjatur ky proces, presidentja definitivisht e ka pas në kompetencë të vendosë andaj në shumë raste ne kemi kërkuar që ky proces të merr një epilog qoftë të emërimit të kandidatit që është në zyrën e presidentes aktualisht apo të anulohet procesi dhe të kthehet në pikën zero. Konsiderojmë se është stërzgjatur si proces dhe do të duhej që sa më parë të kthehej në pikën zero apo të vendoset për personin, por të paktën të ketë një fund, nuk mund të shkojmë në kaq periudhë të gjatë kohore pa e pasur kryeprokurorin e shtetit sepse konsideroj se është tepër vonë ki parasysh kur kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila e ka anuluar Ligjin për KPK dhe nuk besoj që ka më ndonjë arsye tjetër që presidentja të mos i jap një epilog tërë këtij procesi”, theksoi Demolli.

Mendim të njëjtë ndan edhe hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lavdim Makshana, i cili deklaron se tashmë kanë pushuar të gjitha shkaqet që Osmani mos të vendosë për procesin e kryeprokrurorit të shtetit.

Makshana shprehet se procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit i ka munguar integriteti, prandaj e shohin të rrugës që i gjithë procesi të kthehet në pikën zero.

“Tanimë kanë pushuar të gjitha shkaqet po besoj për shkak se nuk ka asnjë proces gjyqësor as nga ana e kandidatëve, por as rasti lidhur me Ligjin për KPK dhe në këtë rast unë besoj që presidentja nuk është e lidhur me këto rrethana. Ajo mundet të vendosë për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt, megjithatë ne kemi dhënë opinionin tonë lidhur me këtë çështje kur kemi kërkuar që procesi të kthehet në pikën zero. Mirëpo, meqenëse ligji nuk parasheh afate të caktuara për dekretimin e kryeprokurorit të shtetit i jepet njëfarë hapësire presidentes që të administrojë vetë këtë proces në kuptimin e afatit ligjor, meqenëse nuk është i paraparë në Ligjin për Këshill Prokurorial”, u shpreh ai.

Këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina tha se bazuar në vërejtjet për këtë proces, është e nevojshme që të pritet shterimi të gjitha mundësive dhe afateve kushtetuese që kundërkandidatët kanë për të adresuar në rrugë gjyqësore.

“Lidhur me procedurën e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit, janë zhvilluar procese gjyqësore në gjykatat e rregullta përkitazi me kontestimin që i është bërë procedurës së zhvilluar në KPK, për propozimin e kryeprokurorit të shtetit. Presidentja konsideron se në dritën e vërejtjeve dhe kontestimeve serioze që i janë bërë procedurës së zhvilluar në KPK, është e nevojshme që të pritet shterimi i të gjitha mundësive dhe afateve kushtetuese dhe ligjore që palët kanë për të adresuar në rrugë gjyqësore, të gjitha pretendimet për parregullsi dhe shkelje ligjore që janë ngritur lidhur me këtë procedurë, duke përfshirë edhe afatin për të proceduar lëndën në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Kupinës.

Kupina shtoi se nuk ka asnjë pengesë ligjore e kushtetuese që kryeprokurori i shtetit të udhëhiqet me ushtrues detyre.

“Dëshiroj të vë në dukje se nuk ekziston asnjë pengesë kushtetuese dhe ligjore që, derisa të vendoset çështja e emërimit të kryeprokurorit të shtetit, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit të ushtrojë të gjitha kompetencat dhe të kryej të gjitha veprimet e nevojshme, që bien brenda kompetencave të kryeprokurorit të shtetit”, deklaroi Kupina.

Ndërsa nga Këshilli Prokurorial i Kosovës thonë se për këtë institucion është me rendësi që sa më shpejt në krye të institucionit të Prokurorisë së Shtetit të kenë kryeprokurorin e dekretuar.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës ka zhvilluar të gjitha procedurat në mënyrë transparente për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit dhe ka dërguar emrin te presidentja për dekretim. Edhe pas një viti, presidentja ende nuk e ka dekretuar. Për Këshillin Prokurorial është me rëndësi që në krye të institucionit të Prokurorit të Shtetit të kemi kryeprokurorin e zgjedhur dhe të dekretuar”, thuhej në përgjigjen e KPK-së.

Në garë për postin e kryeprokurorit të shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi. Kjo garë u hap pasi i kaloi mandati Aleksandër Lumezit.

Aktualisht detyrën e kryeprokurorit të shtetit po e ushtron prokurori, Besim Kelmendi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *