TË FUNDIT

“Marshi për Drejtësi”, gjithçka çfarë ndodhi brenda turmës së mijëra qytetarëve nga mbarë Kosova

“Marshi për Drejtësi”, gjithçka çfarë ndodhi brenda turmës së mijëra qytetarëve nga mbarë Kosova

Për të marshuar për drejtësi, shumë qytetarë nga e gjithë Kosova dhe më larg morën sot rrugën për në Prishtinë.

Prishtina sot u bë urë lidhëse që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kuptojnë edhe një herë se sa shumë përkrahje ka në vendin tonë për ta.

Marshi për Drejtësi i organizuar nga “Liria ka Emër” mblodhi mijëra njerëz, të cilët njëzëri kërkuan drejtësi për luftëtarët e UÇK-së, të cilët padrejtësisht po vazhdojnë të mbahen në Hagë,në kuadër të Dhomave të Specializuara.

Përmes këtij marshi, qytetarët edhe një herë kërkuan drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerët.

Në sheshet e kryeqytetit sot pati brohoritje, flamuj, pankarta e njerëz që nuk mbanin dot lotët nga emocionet që përçoheshin nga thirrjet për drejtësi.

Aty padyshim se ishin edhe emra të njohur të politikës, të institucioneve, të organizatave, por edhe familjarët e ish-krerëve.

Madje në një moment, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi bëri të ditur se ish-krerët po ndiqnin marshin drejtpërdrejtë nga Haga.

Në atë moment qytetarët u bashkuan për të duartrokitur ata, në mënyrë që të kuptojnë se në sheshet e Prishtinës ishin mbledhur mijëra njerëz për ta.

Nga “Liria ka Emër” është bërë e ditur se ishin rreth 100 mijë qytetarë që morën pjesë në këtë marshim.

Kurse nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se ky marshim përfundoi pa asnjë incident dhe se gjithçka kishte shkuar në rregull.

Pamje të shumta të realizuara nga ky marshim shfaqin edhe një herë ndjenjën e përkrahjes që qytetarët kanë për ish-krerët./Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *