Familjarët e të pagjeturve thonë se nuk presin rezultate nga dakordimi në Ohër
Familjarët e të pagjeturve thonë se nuk presin rezultate nga dakordimi në Ohër
Familjarët dhe përfaqësuesit e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë shprehen të zhgënjyer me qasjen e Qeverisë së Kosovës, karshi zbardhjes së fatit të më të dashurve të tyre.
Ata thonë se dakordimi për të pagjeturit në Ohër, nuk do të sjellë rezultate dhe kjo çështje do të vazhdojë të mbetet e pazgjidhur edhe për një kohë të gjatë.
Në takimin e 18 marsit në Ohër, ka pasur një pajtueshmëri mes palës kosovare dhe serbe që pika 4 e ankesit të marrëveshjes për normalizim, ta përfshijë çështjen e të pagjetur si çështje urgjente.
Por, me këtë nuk po mjaftohen familjarët, të cilët thonë se nga ky takim kanë pritur që çështja e të pagjeturve të ishte krejtësisht një pikë e veçantë dhe jo e përfshirë në marrëveshjen e dakorduar për normalizim, e cila nuk është nënshkruar pas refuzimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini deklaroi se Qeveria e Kosovës nuk i ka informuar familjarët e personave të zhdukur se çfarë është diskutuar në takimin e 18 marsit në Ohër.
Ai u shpreh se edhe kjo qeveri si të tjerat nuk po merret seriozisht me zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Ne kemi pritur shumë më shumë, ne kemi propozuar që kjo pikët shumë e dhimbshme, ku kërkohen njerëzit e as tabela e as shtazë të jetë e veçantë dhe të ketë urgjentisht të fillojë të zbatohet. Megjithatë, asnjë gjë e qartë nuk ka dal as prej këtij tubimi madhështor që e kemi pritur…përgjigja është shumë e gjymtë joadekuate dhe përgjigja për neve familjarët nuk aspak ajo që është premtuar…Çka kanë shkruar nuk e dimë, çka kanë premtuar të gjymtë na kanë premtuar, çka është duke u punua është ende edhe më e keqe, sepse të gjitha mediat kanë thënë ndryshe sa kanë qenë atje ndryshe flitet sot, ndryshe flet sot Andini, ndryshe flet sot edhe kryeministri”, thekson ai.
Çerkini shprehet shumë i pakënaqur me punën e Qeverisë së Kosovës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Ai ka shpresa se vetëm nëse duan ndërkombëtarët mund të zbatohet pika për të pagjeturit në kuadër të dakordimit në Ohër, në të kundërtën, ai beson se do të kalojnë edhe shumë gjenerata e kjo çështje e dhimbshme për Kosovës, nuk do të gjejë zgjidhje.
“Ne presim që 24 vite besoj se do të shkojnë edhe shumë gjenerata e nuk do të rregullohet çështja e personave të pagjetur…Marrëveshja nëse duan ndërkombëtarët, kemi një lloj shprese se do të zbatohet, a nëse presim të zbatoj Vuçiq atë, le ta harrojë edhe Andini, le të harrojë edhe kryeministri, edhe zëvendëskryeministri, edhe çdo shqiptar që është në Kosovës le të harrojë se Vuçiq nuk do ta zbardhë fatin e të pagjeturve sa të është në atë post…Mjerisht aspak të kënaqur, nuk jemi aspak, nuk jemi të kënaqur me Komision e ka kapluar puna më të madhe politike, e këta e kanë lënë vetëm kur iu duhet të flet diçka për personat e pagjetur, asnjë gjë konkrete nuk kanë bërë“, shprehet Çerkini.
Kryetari i Këshillit Koordinues të familjarëve të personave të zhdukur, Ahmet Grajqevci insiston që afati prej 12 muajsh që të zgjidhet çështja e të zhdukurve, të përfshihet gjithsesi në dakordimin për zbardhjen e fatit të tyre.
Në të kundërtën, ai konsideron se kjo çështje nuk do zgjidhet.
“Problem ka qenë që me Serbinë të merremi vesh rreth çështjes së personave të zhdukur, sepse çdoherë e ka bërë çështje politike, asnjëherë humane dhe prej më të këqijave është nxjerr nga projekti, është nxjerr ky ankes që për ne do të thotë se është prej më të këqijave, më e mira që mundemi…Shpresoj se tashmë pasi është veç ky projekt, besoj që trysnia ka me qenë më e madhe për të dyja palët….Ne jemi skeptik deri në fund, derisa ta shohim se problemi po zgjidhet, sepse Serbia nuk është bashkëpunues e mirë rreth këtyre çështjeve….ne do të bëjmë presion edhe mbi Qeverinë tonë, por edhe institucionet ndërkombëtare, që kjo çështje patjetër duhet të hyjë në proces dhe zgjidhja të bëhet sa më shpejt që është e mundur…Ky afati 12 muajsh duhet të hyjë gjithsesi në proces, patjetër duhet të hyjë, sepse nëse nuk hynë nuk ka zgjidhje”, thotë Grajqevci.
Pika katër e ankesit të zbatimit për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dakorduar më 18 mars 2023, në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Ohër, thotë se palët dakordohen të miratojnë si çështje me urgjencë Deklaratën për Personat e Zhdukur.
“Palët bien dakord të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente”, thuhet në aneks.
Më 18 mars 2023, pala kosovare dhe serbe janë takuar në Ohër, ku janë pajtuar për zbatimin e ankesit të marrëveshjes sipas planit evropian. Por, kjo marrëveshje përveç dakordimit nuk është nënshkruar pas refuzimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ndryshe, në Kosovë ende nuk dihet se ku ndodhen eshtrat e mbi 1600 personave.