Kurti: Topi është te Serbia, ndërkombëtarët ta dënojnë sjelljen e saj për mos nënshkrim të marrëveshjes
Kryeministri i Kosovës ka folur për marrëveshjen e Ohrit, derisa ka thënë se plani i zbatimit është dashur të nisë që dje, raporton Gazeta Blic.Ai ka kërkuar nga ndërkombëtarët që ta gjykojnë e dënojnë sjelljen e Serbisë, e cila nuk e nënshkroi marrëveshjen, por që thotë se kjo marrëveshje është njohje de facto nga Serbia.
“Zbatimi i kësaj marrëveshje duhet të fillojë qysh dje sepse edhe plani i zbatimit thotë se nuk ka një afat në të ardhmen se kur duhet të fillojë zbatimi i marrëveshjes. Edhe marrëveshjen bazë, edhe planin e zbatimit tani i kemi të dakorduara por unë pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë, ta dënojnë sjelljen e Serbisë, e cila kur mbahen takime thotë nuk nënshkruaj, e në mes të takimeve thotë nuk zbatoj gjë. Nuk mund të flasë kundër pala tjetër për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe OKB-në, nuk mund të flasë se si kurrë nuk do ta njohë Kosovën, meqenëse marrëveshja bazë është njohje de facto”, tha Kurti para gazetarëve.
Ai tha se pala kosovare në dialog është konstruktive dhe kreative dhe se ai është i vetmi që bën propozime në takimet në Bruksel, të cilat refuzohen por që në fund edhe kur ka pajtim mes palëve, Serbia refuzon nënshkrimin.
“Pra, unë besoj që kjo është thelbësore për procesin dhe është e rëndësishme që të gjithë partnerët, aleatët, miqtë tanë të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës, kur ne jemi konstruktiv, të përkushtuar e kreativ si asnjëherë. Unë jam i vetmi në këto takimet e Brukselit që bëj propozime, pala tjetër nuk bën propozime, unë bëj propozime që refuzohen dhe në fund merremi vesh e pala tjetër nuk nënshkruan. Për të tjerat, me ndërmjetësit evropianë do të jemi në kontakt të vazhdueshëm, po ashtu me SHBA-të që i falënderojmë shumë dhe do të duhej që atë formulimin për vetëmenaxhimin e serbëve ta adresojmë te çështjet që na paskan mbetur pa u përmbushur dhe për ne bëhet fjalë për një formulim i cili i përket në mënyrë besnike dhe të saktë konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare sipas Këshillit të Evropës”, u shpreh kryeministri, raporton Gazeta Blic.
Sa i përket asaj se a do ta ratifikojë marrëveshjen në Kuvend, Kurti tha se nuk mund të bëhet ratifikim pa pasur marrëveshje të nënshkruar, pasi Serbia nuk e ka bërë atë dhe Kosova nuk mund të nënshkruajë me veten.
“Unë besoj se kjo duhet të diskutohet edhe në Kuvend por duhet të keni paraysh se ne kot nënshkruajmë pasi marrëveshje vet me vete nuk mund të bëjmë. Pala tjetër tha po por nuk e nënshkroi. Aty shkruan palët kontraktuese, unë nuk mund të nënshkruaj me vetveten. Tash ne mund ta ratifikojmë në kuvend por atë nuk e ka nënshkruar Serbia, pyetjet duhet të jenë te Serbia. Topi është te Serbia. Pra në vend se të diskutojmë pse s’po nënshkruan Serbia, janë pyetet kur do ta themelosh Asociacionin. Andaj është e rëndësishme t’i qëndrojmë interesave shtetërore sepse ne kemi qenë konstruktiv e kreativ. Gjitha pyetjet duhet të jenë në Beograd tash”, deklaroi Kurti./Gazeta Blic