Vuçiq para takimit të Ohrit: Do të ruajmë Serbinë e plotë, në Kushtetutë Kosova është në territorin tonë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Qeveria në Beograd do të ruajë “Serbinë e plotë, ashtu siç është e paraparë në Kushtetutë”.
Në Kushtetutën serbe, Kosova figuron si pjesë e Serbisë.
Ai këto deklarata i bëri më 17 mars gjatë një vizite në perëndim të Serbisë, një ditë para takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku do të bisedojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne kemi bërë shumë gabime në të kaluarën dhe nuk duhet të përsërisim gabime të tilla”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se Serbia “nuk do të izolohet”.
“Para nesh na pret një periudhë jo lehtë, por kur ne udhëheqim një politikë të përgjegjshme, serioze dhe të mençur, Serbia del fituese”, tha Vuçiq dhe përsëriti se ai do të “ruaj paqen”.
Në takimet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, përveç delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë – që do të takohen nën ndërmjetësimin e BE-së – do të marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në cilësinë e vëzhguesit.
Escobar më 17 mars në Prishtinë u takua me krerët shtetërorë dhe u shpreh optimist për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin me Escobar, tha se në Ohër delegacioni i Kosovës “udhëton me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”.
“Propozimi evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kurtit pas takimit me Escobar.