TË FUNDIT

Borrell jep detaje për takimin në Ohër: Marrëveshja është e mirë e shtegu për zbatimin e saj është edhe më i mirë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ka dhënë disa detaje për takimin në Ohër që pritet të mbahet të shtunën mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një konferencë për media të premten, pas takimit me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevan Pendarovski, Borrell ka thënë se ky takim është i rëndësishëm dhe mundësi që nuk duhet humbur.

Ai gjithashtu ka deklaruar se Kosova dhe Serbia tashmë kanë ofruar komentet e tyre për aneksin e implementimit të Propozimit evropian, për përmbajtjen e së cilës kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel, transmeton Telegrafi.

“Dua të bëj një lloj përkujtimi të asaj se ku jemi dhe ku duam të jemi. Para tri javësh në Bruksel, Kurti dhe Vuçiq u darkoduan mbi propozimin e BE-së. Ata janë pajtuar që ky propozim do të jetë rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre. Janë pajtuar se do të takohen së shpejti për të finalizuar ankesin e zbatimit”, është shprehur Borrell.

Duke folur për marrëveshjen ai ka thënë se ajo është e mirë, e shtegu për zbatimin e saj është edhe më i mirë.

“Ky takim që do të mbahet nesër do të mbahet për të përcaktuar hapat konkret që duhet të ndërmerren në një periudhë kohore konkrete, çka duhet të bëhet, kur edhe si. Kemi një histori të gjatë të marrëveshjeve që nuk janë zbatuar kurrë. Të dyja palët kanë ofruar komentet e tyre për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, ndërsa nesër do t’i diskutojmë dhe do të prodhojmë një version të konsoliduar të ankesit në bazë të këtyre komenteve dhe diskutimeve”.

Borrell tutje ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia të shtunën të arrijnë të pajtohen mbi rezultatin përfundimtar të këtyre diskutimeve.

“Ky aneks i zbatimit do të jetë pjesë përbërëse e marrëveshjes. Nëse arrijmë ta bëjmë këtë do t’i vendosim marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë në një shteg afatgjatë e stabil në tejkalimin e krizave që i kemi pasur të shpeshta në muajt paraprak”, është shprehur Borrell, duke shtuar se shpreson që të krijohet një momentum i ri për zgjerimin e BE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *