Dy arsyet më të shpeshta për të cilat kosovarët po hyjnë në kredi, BQK jep detaje
Dy arsyet më të shpeshta për të cilat kosovarët po hyjnë në kredi, BQK jep detaje
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka publikuar disa të dhëna interesante rreth llojit të kredive që po mbizotërojnë në sektorin bankar në Kosovë.
Në tremujorin e parë të vitit 2022 vërehet një rritje e kërkesës për kredi nga qytetarët për ta financuar konsumin, si dhe për blerjen e shtëpive.
Këto dy lloje të kredive kanë shënuar rritjen më të madhe, sipas raportit “Anketa e Kreditimit Bankar” të publikuar së fundi nga BQK.
“Nëse e zbërthejmë kërkesën kreditore sipas llojeve të kredive për ekonomitë familjare, rezulton që kërkesa për kredi konsumuese shënoi rritje me indeks pozitiv prej 0.22, ndërsa kërkesa për kredi për blerjen e shtëpive shënoi rritje me indeks pozitiv prej 0.18”, thuhet në raport.
Saktësisht, pesë banka, sipas BQK-së, kanë raportuar për rritje të kërkesës për këto dy lloje të kredive.
“Nëse krahasojmë rezultatet aktuale të kërkesës për kredi me pritjet e bankave të deklaruara në anketën e kaluar për të njëjtën periudhë, niveli aktual i rritjes së kërkesës është më i lartë për të dy llojet e kredive”.
Sipas raportit, faktorët që ndikuan pozitivisht dinamikat në kërkesën për kredi ishin nevoja për financimin e shpenzimeve të konsumit dhe në një nivel të ulët pozitivisht ndikoi edhe perspektiva e tregut të patundshmërive,Buletini Ekonomik.
Këto dy lloje të kredive i prijnë listës si më të kërkuarat nga klientët bankar në Kosovë edhe sipas një ankete të Institutit GAP.
53 për qind e respodentëve janë deklaruar për llojin e kredisë konsumuese/ personale, ndërsa e dyta në listë është “Kredi për blerjen e shtëpisë” me 17 për qind. 6 për qind janë deklaruar se kanë hyrë kredi për të blerë veturë dhe po kaq kredi për zgjerimin e biznesit.