Lumi Vjosa shpallet “Park Kombëtar”, Rama: Moment historik
Lumi Vjosa shpallet “Park Kombëtar”, Rama: Moment historik
Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë u shpall sot “Park Kombëtar” me mbrojtje të plotë kombëtare dhe ndërkufitare, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
Në ceremoninë e posaçme që u zhvillua në Tepelenë, kryeministri Edi Rama e vlerësoi këtë akt si moment historik në përpjekjen për mbrojtjen e natyrës dhe për transformimin e mendësisë lidhur me natyrën.
“Ky është një moment realisht historik në përpjekjen për mbrojtjen e natyrës dhe për transformimin e mendësisë lidhur me natyrën si një hapësirë e përbashkët ku zhvillimi ekonomik, zhvillimi social dhe trashëgimia për brezat që vijnë si një stafetë e mirëqenies, mund të shihet dhe duhet të shihet krejt ndryshe nga sa rëndom jemi mësuar, duke e kërkuar tek shfrytëzimi pa kriter dhe pa karar i natyrës. Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë sepse sanksionojmë atë që kemi dëshiruar shumë qysh në krye të herës, atë për të cilën jemi zotuar kur kemi marrë mandatin për të qeverisur dhe atë që për ta bërë realitet na u desh kohë, pasi nuk është një vendim i lehtë, është një vendim i vështirë për njëmijë e një arsye, shpalljen e Vjosës “Park Kombëtar”.”, tha ai.
Kryeministri shqiptar, ndër të tjera, u shpreh se Shqipëria ka tani 21% të territorit zonë të mbrojtur dhe synimi është që 30% të teritorit ta bëjnë zonë të mbrojtur.
“Sot, Shqipëria ka 21% të territorit zonë të mbrojtur. E kemi gjetur me shumë më pak kur ne morëm detyrën dhe çdo vit kemi rritur sipërfaqen e zonës së mbrojtur dhe objektivi ynë është që ta çojmë në 30% territorin e vendit tonë që është zonë e mbrojtur. Është një objektiv shumë ambicioz, por nga ana tjetër të krijosh zona të mbrojtura nuk do të thotë që t’i presësh njerëzve që jetojnë në ato zona apo komuniteteve që kanë bekimin e atyre zonave pranë, rrugët e zhvillimit të tyre ekonomik dhe social. Nuk do të thotë që të kthesh dhe njerëzit në gjendje të egër, por përkundrazi, do të thotë që tu japësh atyre një perspektivë të re zhvillimi për të cilën nuk mjafton të kesh Vjosën, por duhet dhe të dish sesi.”, shtoi Rama.
Lumi Vjosa, do të jetë një “Park Kombëtar” unik për Shqipërinë, por edhe për Evropën, i cili e fut Shqipërinë në një tjetër kategori të hartës turistike europiane dhe hap një tjetër rrugë të re për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social.