Investime, mbështetje, anëtarësime – premtimet e ndërkombëtarëve në këmbim të nënshkrimit me 18 mars
Investime, mbështetje, anëtarësime – premtimet e ndërkombëtarëve në këmbim të nënshkrimit me 18 mars
Ethet e së shtunës sa vinë e ndjehen më shumë. Diçka më më pak se 60 orë kanë mbetur deri te fillimi i takimit të nivelit të lartë në Ohër, mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe të parit të serbëve, Aleksandar Vuçiq.
Reagimet e deklarimet me patjetër se tashmë janë shtuar, ndërsa as ndërkombëtarët nuk po ia lënë mangut, përcjell lajmi.net.
Shumica e figurave politike të Bashkimit Evropian, por dhe jo vetëm, po bënë thirrje që me datën 18 të këtij muaji, të ketë të zezë mbi të bardhë, sa i përket planit të implementimit të marrëveshjes.
Megjithatë, skepticizmi ekziston. Këtë e kishte pranuar edhe vet emisari Lajçak. Diplomati sllovak e kishte potencuar se nuk pret ceremoni nënshkrimi në Ohër, ndërkaq, gjatë ditës, në një konferencë, siç transmeton Klan Kosova, ka thënë se mund të ketë aneks të ri të zbatimit të marrëveshjes, aneks ky që do të diskutohet pikërisht të shtunën.
“Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti janë pajtuar se nuk ka nevojë për bisedime të reja për tekstin e marrëveshjes. Tani duhet të përcaktohet rendi i hapave të ardhshëm, afatet dhe kush duhet të bëjë atë. Kemi krijuar anekse në lidhje me zbatimin e marrëveshjes. Pas bisedimeve të mia në Prishtinë dhe Beograd, është duke u përgatitur një version i ri i aneksit, i cili do të diskutohet në Ohër të shtunën”, tha Lajçaku në konferencën “Evropa dhe Rusia në Frontin Ballkanik”.
Në anën tjetër, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka pohuar faktin se beson që Kosova një duhet të jetë dhe do të jetë anëtare e Aleancës Veri-Atlantike.
Ai shtoi se dilema e vetme për këtë është se si të krijohen kushtet për të arritur atje, ndërsa pohoi faktin se nëse arrihet marrëveshja në Ohër, atëherë angazhimi i ShBA-së do të jetë edhe më i madh.
“Ne besojmë se Kosova një ditë duhet të jetë, dhe do të jetë, anëtare e Aleancës Veri-Atlantike, dhe çështja e vetme është si të bëhen kushtet e duhura për ta arritur këtë. Në rast se e arrijmë një marrëveshje në Ohër dhe Kosova shihet se ka kontribuar për ta arritur në mënyrë të suksesshme dhe konstruktive për ta arritur këtë marrëveshje, mendoj se do të shihni aktivitet të përtërirë amerikan dhe realizimin e këtij vizioni. Nuk është se nuk kemi tentuar në të kaluarën”, ka thënë Hovenier në ATV.
Ndërkaq, kujtojmë faktin se investimet milionëshe në këmbim të një arritje të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme kanë qenë gjithmonë të pranishme, sidomos nga amerikanët. Një numër i konsiderueshëm i ndërkombëtarëve ende beson se ekonomia dhe rritja e prosperitetit për qytetarët e të dy vendeve mund të jetë shkas i mirë që palët të lënë interesin politik e partiak, për atë të banorëve në të dy anët.
Gjithsesi, mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat në fundjavë në Maqedoninë Veriore, ndërsa ritheksojmë se lajmi.net do të qëndrojë në vendin e ngjarjes, ku nga atje do t’ju raportojë në kohë reale për çdo risi eventuale./Lajmi.net