TË FUNDIT

Kanosi me sakicë një deputet dhe rojen e Parkut Nacional në Suharekë, arrestohet i dyshuari

Kanosi me sakicë një deputet dhe rojen e Parkut Nacional në Suharekë, arrestohet i dyshuari

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person nën dyshimin për veprën penale “Kanosje”.

Rasti ka ndodhur më 12 mars rreth orës 15:00, ku policia ka pranuar një informatë nga një ankues se në bjeshkët e fshatit Bukosh, ishin kanosur nga disa persona të dyshuar, të cilët i kishte hasur duke bartur dru me dy traktor.

Pas marrjes së informatës, hetuesit e Stacionit Policor të Suharekës, të mbështetur nga dy ekipe të Njësisë së Reagimit të Shpejtë, kanë dalë në vendin e ngjarjes, aty kanë takuar ankuesit, njëri deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërsa tjetri roje e Parkut Nacional.

“Sipas ankuesve, kur ata i kanë takuar personat e dyshimtë të cilët ishin duke bartur dru në mënyrë të paligjshme, të dyshimtit nuk kanë pranuar të legjitimohen, ndërsa njëri nga ata i kanosur viktimat me sopat dhe pastaj ka ikur nga vendi i ngjarjes. Nga policia në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti “ Kanosje” dhe kanë filluar hetimet në identifikimin e të dyshimtit. Sot me datë 14.03.2021 është identifikuar i dyshuari (A.A. 34 vjeç, nga komuna e Suharekës) për të cilin ekziston dyshimi i bazuar që ka kanosur viktimat”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në prezencë të avokatit mbrojtës, i dyshuari është deklaruar për incidentin dhe në deklarimin e tij e ka pohuar se ka pasur një mosmarrëveshje dhe fjalosje me viktimat, por ka mohuar se ka përdorur fjalë kanosëse.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, i dyshuari është ndaluar për 48 orë. /Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *