Kurti kujton Gjingjiqin në 20 vjetorin e vrasjes: Atentatorët thuhet se ishin edhe në rrethimin e Jasharëve
Kurti kujton Gjingjiqin në 20 vjetorin e vrasjes: Atentatorët thuhet se ishin edhe në rrethimin e Jasharëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar 20 vjetorin e vrasjes së kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq, duke thënë se ai ishte ndër liderët politikë të rrallë të Serbisë që nuk bashkëpunoi me Millosheviqin.
Kurti ka shkruar në Facebook se atentatorët që vranë ish kryeministrin serb më 12 mars 2003, Zvezdan Jovanoviq – Zmija dhe Milorad Ulemek – Legija, përfunduan në CZ të Beogradit të dënuar me nga 40 vjet burg, por jo edhe urdhërdhënësit të cilët nuk u zbuluan kurrë.
“Këta të dy janë edhe kriminelë lufte në Kosovë, organizatorë e ekzekutorë masakrash mbi shqiptarët, e bashkë me Goran Radisavljeviq – Gurin, thuhet se janë edhe pjesëmarrës në shtet-rrethimin e Jasharëve në Prekaz”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë:
20 vjet nga vrasja e Zoran Gjingjiq
Qeveria e Serbisë do të ketë qenë duke e menduar tashmë shënimin e 100 vjetorit të vrasjes makabre të mbretit Aleksandar Obrenoviq, gruas së tij e dy vëllezërve të tij, kryetarit të qeverisë dhe ministrit të tij të ushtrisë. Dy muaj e gjysmë ishte larg ky përvjetor shekullor, kur u vra kryeministri Zoran Gjingjiq, ndër liderët politikë të rrallë të Serbisë që nuk bashkëpunoi me Millosheviqin ndonëse nuk e zgjidhi ndonjëherë kundërthënien ndërmjet liberalizmit (perëndimor) dhe nacionalizmit (serb).
Gjingjiq ishte demokrat në rrethanat e asaj kohe ndërkaq për nga formimi intelektual e orientimi filozofik, edhe kur ka lëvizur a ndryshuar, ishte tejet i ndikuar nga Shkolla e Frankfurtit së cilës ia kishte borxh mendimin kritik të qëndrimit opozitar. Teksa admironte ‘aksionin komunikativ’ të Jürgen Habermas, filmi më i dashur i tij ishte “Andrei Rublev” i Andrei Tarkovsky-t.
Atentatorët që vranë ish kryeministrin serb më 12 mars 2003, Zvezdan Jovanoviq – Zmija dhe Milorad Ulemek – Legija, përfunduan në CZ të Beogradit të dënuar me nga 40 vjet burg, por jo edhe urdhërdhënësit të cilët nuk u zbuluan kurrë (ndoshta pse diheshin ngahera). Këta të dy janë edhe kriminelë lufte në Kosovë, organizatorë e ekzekutorë masakrash mbi shqiptarët, e bashkë me Goran Radisavljeviq – Gurin, thuhet se janë edhe pjesëmarrës në shtet-rrethimin e Jasharëve në Prekaz. Krimi i organizuar, krimet e kryera gjatë luftës dhe diktatura shoviniste ecin bashkë.
Në dy shekuj ekzistencë, Serbia i kishte dy vjet demokraci. Me qeverisjen e Zoran Gjingjiq, mbështetja për anëtarësimin në Bashkimin Evropian pat mbërrirë në 3/4 e popullsisë së Serbisë, kurse tani ajo ka rënë te 1/3. Për Gjingjiqin sot në Beograd do të ketë shumë pikëllim të shtirur e lotë të rrejshëm. Koha që rrodhi pas tij, shtoi peshë në anën e kundërt të demokracisë. Koha që po vjen, nuk duket se do ndryshojë gjë së shpejti atje.