Nëna e Astrit Deharit: Nuk na kanë lajmëruar se janë gjetur mostrat
Nëna e Astrit Deharit: Nuk na kanë lajmëruar se janë gjetur mostrat
Gjatë ditës së djeshme në mediet është raportuar se është gjetur një pjesë e mostrave të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, të cilat ishin zhdukur në dhjetor të 2022-ës.
Lidhur me këtë rast, në “Lajmet e fundit”, në RTK, përmes lidhjes telefonike ka folur nëna e Astrit Deharit, Xhemile Dehari.
Ajo, për raportimin e mediave në ditën ka thënë se nuk ka kurrfarë lajmi dhe që askush nuk i ka lajmëruar për këto gjëra. Ajo, më tutje sqaroi se këto i ka dëgjuar në media.
Nëna e Astritit, Xhemile Dehari, theksoi se për këto gjëra duhet kontaktuar prokurori i rastit.
“Nuk di pse duhet me na pyet mediet, kur është vetë prokurori për këtë punë. Prokuroria e ka këtë punë”, vuri në dukje ajo, derisa shtoi se “edhe ma herët kam thënë se për të gjitha këto gjëra me Prokurorinë duhet të merreni vesh”.
Tutje, ajo deklaroi se është njoftuar nëpër medie të ndryshme se paskësh dhënë deklaratë lidhur me ngjarjen e sotme, gjë që demantoi.
“Por kam lexuar nëpër media se kinse paskam dhënë deklaratë, unë ju them se nuk kam dhënë asnjë deklaratë, sepse nuk kam çka të japë se nuk di. Nuk kam kurrfarë lajmi. Këtë punë duhet ta kryejë prokurori”, theksoi Xhemile Dehari, nëna e Astritit.
Më tej, Xhemile Dehari bëri të ditur se lidhur me rastin nuk janë njoftuar as nga Prokuroria, as nga Instituti i Mjekësisë Ligjore e as nga Ministria e Drejtësisë.
“Bile prokurori nuk ka kontaktuar me vite me neve”, shtoi ajo, teksa vuri theksin se për këtë çështje janë konsultuar me avokatin, por që duhet pritur se çfarë do të bëjë Prokuroria.
“Përderisa nuk na kanë lajmëruar për gjetjen e mostrave të Astritit ne nuk dimë se si të veprojmë më tutje”, tha Xhemilja nëna e Astrit Deharit, ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat ishin zhdukur në dhjetor të 2022.