Kryeministri Kurti i merr meritat për lajmin e mirë për vizat
Kryeministri Kurti i merr meritat për lajmin e mirë për vizat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, siç duket po i mbyllë sytë ndaj përpjekjeve disa-vjeçare edhe të pushteteve të kaluara për t’i përmbushur kushtet për heqjen e vizave, si dhe faktit që edhe para se Kurti të vinte në karrigen e të parit të Qeverisë, institucione të BE-së kishin konfirmuar faktin se Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim.
Në një postim në Facebook, duke komentuar vendimin e Këshillit të Ministrave për t’i thënë “PO” heqjes së vizave, Kurti thotë se e gjithë kjo është vlerësim i qeverisjes së tij, që siç thotë ai po sjell vendime të mira për qytetarët, shkruan lajmi.net.
Ai thotë se rezultatet që po sjell qeveria e tij, po sjellin përmirësim tek indikatorët në organizata ndërkombëtare.
“Pritjes së gjatë po i vjen fundi. Krahas rritjes e përmirësimit të gjithmbarshëm në indikatorët e drejtësisë, demokracisë e lirisë, sot kemi edhe vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së për udhëtimin pa viza për qytetarët e republikës. Ky vendim është vlerësim i qeverisjes sonë që po sjellë vendime të mira për qytetarët dhe njohje e reformave që po përmirësojnë indikatorët në organizata ndërkombëtare”, tha Kurti./Lajmi.net/