Viktima e dhunës në familje kërkon drejtësi
Viktima e dhunës në familje kërkon drejtësi
Dita e Gruas sot në Kosovë nisi me protestë para Pallatit të Drejtësisë. Kolektivi “Marshojmë, s’festojnë“ nga hapësirat e Pallatit nisën marshin protestues përmes të cilit kërkuan drejtësi për gratë e dhunuara.
“Vrasjet e grave janë të paralajmëruara”, “Siguri për gra në hapësira private e publike”, “Poshtë patriarkati”, “Edhe sa gra të vrara”, “Gjykata i ka duart me gjakun e grave”, ishin disa nga pankartat që e përfaqësonin këtë protestë.
E mbijetuara e dhunës në familje, Elmedina Hajdari u shpreh se sot përmes kësaj proteste kërkon drejtësi për të gjitha gratë e dhunuar të cilat shpesh bëhen siç tha ajo fajtore për dhunën që përjetojnë.
Ajo tha se për shkak të neglizhencës nga Policia dhe Prokuroria shumë raste të raportuara të dhunës nuk janë hapur.
“Si e mbijetuar e dhunës në familje, kam raportuar rastin në vitin 2021 dhe ka 2 vite që po luftojë për drejtësi. Prej që kam raportuar rastin ne 2021, u bënë dy vite që kur po luftojë për drejtësi dhe të drejtat e mija. Për afër dy vite nga urdhër mbrojtja shkak I dhunës psikike sistematike unë qëndroj sot para jush si e mbijetuar e dhunës dhe si një grua e cila ka hasur në shumë dhunë e padrejtësi, jo vetëm prej dhunuesit, por edhe prej shtetit .Unë jam dëshmitare e neglizhencës, mosbesimit dhe padrejtësive të vazhdueshme që u bëhen grave nga Policia, Prokuroria e Gjykata. Mjafton tu përmendi që në Polici janë shumë raste që nuk janë hapur për shkak të neglizhencës të Policisë dhe Prokurorisë“, tha ajo.
E mbijetuara e dhunës në familje, Elmedina Hajdari u shpreh se përkundër provave të mjaftueshme Gjykata Themelore në Drenas ish bashkëshortin që ndaj saj ushtroi dhunë sistematike e dënoi me dënim të ulët.
Ajo u shpreh se aktualisht është në pritje të vendimit nga gjykata për dhunën që vëllai i ish-bashkëshortit kishte ushtruar ndaj saj, për çka pret dënim meritor.
Hajdari theksoi se nëse nuk ka drejtësi në Kosovë lëndën e saj do ta dërgojnë në organet e drejtësisë jashtë vendit.
“Përkundër provave të vazhdueshme që i kam ofruar në gjykatë për dhunën që po bëhej e vazhdon të më bëhet dënimi që ish bashkëshorti ka marr nga Gjykata Themelore e Drenasit është tepër i ulët….Unë nuk jam dorëzuar dhe nuk do të dorëzohem kurrë, dhe thërras çdo grua që të luftojë dhunën dhe mos ta mbajë të fshehur brenda burrave sepse nuk është marre për neve gratë që të raportojmë për dhunuesit që përdorin dhunë. Fjala e fundit e imja është edhe nëse gjykata ku jetoj, jep vendimin jo meritor dhe më paragjykon mua si grua, do të kërkoj drejtësi në gjykatat e Apelit dhe Supreme dhe nëse nuk ka drejtësi në shtetin tonë në Kosovë lëndën time do ta dërgoj jashtë vendit”, u shpreh ajo.
E mbijetuara për dhunë në familje, Elmedina Hajdari kërkoi mbështetje për luftën e grave për të jetuar pa dhunë.
Marshi protestues i cili nisi nga Pallati i Drejtësisë ka vazhduar drejt objektit të Qeverisë së Kosovës.