Publikohet fotografia e serbit që u arrestua për krime lufte në Kamenicë
Publikohet fotografia e serbit që u arrestua për krime lufte në Kamenicë
Një serb është arrestuar dje si i dyshuar për krime lufte kundër shqiptarëve.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, ai dyshohet se se në mars të vitit 1999, në stacionin policor në Kamenicë, si person zyrtar, së bashku edhe me policë të tjerë serbë, fillimisht kishin rrahur “me shufra gome dhe shqelma” dhe më pas kishin torturuar “në mënyrë çnjerëzore” të dëmtuarin me iniciale B.M.
Sipas Prokurorisë, i dëmtuari kishte pësuar lëndime të rënda dhe i ishte “kanosur seriozisht jeta” gjatë dhunës së ushtruar që thuhet se ka zgjatur për një orë e gjysmë.
Po ashtu, ai dyshohet se në periudhën shkurt-mars 1999, ka marrë pjesë në “dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj ka filluara të bëjë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve, ai ka vënë zjarrin, si dhe ka marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë”.
Ndërkohë e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka bërë të ditur se personi i arrestuar është Zlatko Arsiç.
Siç thotë kjo zyrë në komunikatën e saj Arsiç ishte pjesë e Policisë së Kosovës, dhe e habitshme sipas tyre është se si ai kishte kaluar testet e verifikimit, nëse ekzistonte dyshimi i bazuar për krime lufte.
Kjo zyrë thotë t’i ketë ofruar Arsiqit ndihmë juridike falas. /Lajmi.net/