TË FUNDIT

Ambasadori italian: Veçanërisht për Kurtin, është kërkesa të themelohet Asociacioni

Ambasadori italian: Veçanërisht për Kurtin, është kërkesa të themelohet Asociacioni

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, po vlerëson se nëse marrëveshja e planit evropian synohet të funksionojë, duhet dhënë pëlqimin e plotë për atë dokument.

Megjithatë, ai në Rubikon me Adriatik Kelmendin, pati një kërkesë për kryeministrin, Albin Kurti, për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

”U është kërkuar të dyja vendeve, sepse të dyja vendet, si Kosova edhe Serbia, nuk e kanë nënshkruar këtë marrëveshje bazë, e cila megjithatë parashihte një aneks dhe pasi këto dy dokumente nuk u nënshkruan, sot për sot, mund të flasim për një deklaratë politike, pra ka një angazhim nga të dy liderët për të çuar përpara parimet që janë vendosur në marrëveshjen bazë. Por, që marrëveshja bazë të funksionojë duhet dhënë edhe pëlqimin për atë dokument që përcakton hapat që do të bëjnë të mundur zbatimin e marrëveshjes. Prandaj, është një angazhim për të dy, veçanërisht për kryeministrin kosovar është kërkesa që të vazhdohet me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

”Siç është theksuar disa herë, si nga kolegët e mi, ambasadorët e Quintit këtu, në intervistat e mëparshme, por mbi të gjitha në nivel të Brukselit dhe kryeqendrave, kjo marrëveshje, në të vërtetë është një marrëveshje pragmatike, le të themi, merr parasysh situatën aktuale. Në situatën aktuale, sinqerisht ishte maksimumi që mund të arrihej, por është një fazë e ndërmjetme sepse është e qartë se për të vazhduar drejt integrimit të tyre evropian, si Serbia ashtu edhe Kosova do të duhet të arrijnë një moment, në të cilin do të vendoset njohja reciproke”.

”Para se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, do të duhet të arrijnë një njohje ndërmjet të dyjave, një njohje dypalëshe, megjithatë unë do të doja të fokusohesha në përparësitë që Kosova do t’i ketë që sot, jo vetëm në të ardhmen, që në çdo rast kjo marrëveshje lejon njohjen e simboleve shtetërore, njohjen e integritetit territorial dhe në të njëjtën kohë ka edhe përparësi ekonomike, sepse përmes kësaj marrëveshjeje do të mund të zhbllokohen një sërë pengesash që sot, pikërisht ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, paraqesin një pengesë të konsiderueshme për zhvillimin ekonomik të vetë Kosovës. Çfarëdo problemi që mund të ketë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, gjeografia është ajo që i përcakton zgjedhjet, zgjedhjet afatgjata. Serbia dhe Kosova do të vazhdojnë të jenë fqinj, janë shtete kufitare dhe për të rritur mirëqenien e popullatës, zhvillimin e ekonomive të tyre, është e nevojshme të hiqen ato pengesa politike që sot pengojnë tregtinë e lirë, lëvizjen e çdo lloji të kapitalit. Kjo marrëveshje fillon të ndihmojë këtë proces. Kjo është arsyeja pse ne po shtyjmë fort që të arrihet kjo marrëveshje, e cila nuk është përfundimtare, por tashmë mundëson përparësi të mëdha dhe të dukshme për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve dhe të Kosovës në veçanti”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *