TË FUNDIT

Rrugët e Kosovës përplot me shoferë, MI dhe MPB japin detaje se sa prej tyre i kaluan testimet dhe sa morën patentë-shofer

Rrugët e Kosovës përplot me shoferë, MI dhe MPB japin detaje se sa prej tyre i kaluan testimet dhe sa morën patentë-shofer

Rrugët e Kosovës janë vazhdimisht të ngarkuara. Përpos infrastrukturës aspak të rregulluara e gjithnjë me probleme të vazhdueshme, po ashtu problem i madh vazhdon të jetë edhe numri tejet i lartë i automjeteve.

Pikërisht këto automjete në shumë raste madje drejtohen edhe nga persona të “pakualifikuar”, apo thënë qartë që nuk posedojnë patentë-shofer.

Për dallim nga kjo në vend ka edhe numër të madh të atyre të cilët testohen vazhdimisht në kuadër të Ministrisë Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga kjo ministri është bërë e ditur se gjatë vitit të kaluar për të gjitha kategoritë provimin për patentë-shofer e kanë dhënë gjithsej 50 mijë e 746 kandidatë.

“Gjatë vitit 2022 për të gjitha kategoritë provimin për patentë shofer e kanë dhënë gjithsej 50746 kandidat”,thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Gjithashtu është theksuar se gjatë muajit janar të vitit 2023 janë gjithsej 3 mijë e 758 kandidatë të cilët kanë kaluar të gjitha kategoritë për provimin e patentë-shoferit.

“Gjatë janarit të këtij vitit për të gjitha kategoritë provimin për patentë shoferë e kanë dhënë gjithsej 3758 kandidat”,u theksua tutje.

Ndërsa sa i përket muajit shkurt të dhënat zyrtare nuk janë bërë të ditura ende.

Po ashtu nga kjo ministri janë deklaruar edhe në lidhje me ndryshimet që pasuan gjatë vitit që lamë pas sa i përket testimit për patentë-shofer.

Sipas MI-së provimi teorik për dhënien e provimit për patentë-shofer për të gjitha kategoritë kryhet ndërmjet “E-testimit”, në mënyrë elektronike.

E sipas tyre përparësitë e këtij sistemi përveç tjerash është se ka eliminuar faktorin njeri si dhe ka krijuar lehtësira për qytetarët, ku përzgjedhja e pyetjeve dhe kontrollimi i testeve bëhet në mënyrë elektronike.

“Rezultati i provimit ipet online me rastin e përfundimit të testimit dhe kandidati i cili nuk kalon në provim ka qasje kontrollin e gabimeve në testin teorik”,u tha tutje.

Sipas ministrisë, brenda këtij viti ky sistem pritet të digjitalizohet apo avancohet tutje në fushën për patentë-shofer.

Në lidhje me marrjen e patentë-shoferëve, lajmi.net ka kontaktuar edhe ministrinë e Punëve të Brendshme, nga ku është bërë e ditur se gjatë vitit të kaluar janë prodhuar gjithsej 78 mijë e 338 patentë-shoferë.

Ndërsa sa i përket dy muajve të parë të vitit 2023, nga Ministria e Punëve të Brendshme është theksuar se janë prodhuar 8 mijë e 206 patentë-shofer.

“Gjatë vitit 2022 janë prodhuar gjithsej 78.338 patent shofer.Ndërsa gjatë muajit Janar – Shkurt 2023 janë prodhuar gjithsej 8.206 patent shofer”,u tha në përgjigjen e MPB-së.

Problematike gjatë vitit të kaluar në kuadër të MPB-së ka qenë furnizimi me dokumente të llojit: Pasaporta, letërnjoftime si dhe patentë-shofer.

E sipas ministrisë së Punëve të Brendshme tashmë nuk ka një problem të tillë.

Madje nga MPB u bë e ditur se kanë furnizim me material për patentë-shofer.

“Gjithashtu ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Brendshme është furnizuar me material për patent shofer dhe nuk ka mungesë të materialit”,u përfundua në përgjigjen e MPB-së.

Duhet përkujtuar që në kudër të testimeve për patentë-shofer si dhe pajisjes me këtë dokument së fundi pati edhe arrestime.

Organet e hetuesisë arrestuan disa persona të cilët dyshohet se kishin mundësuar kalimin e testeve, duke përfituar shuma të ndryshme të parave.

Raste të ngjashme ka pasur ndër vite në Kosovë, gjë që është “munduar” të luftohet nga institucionet përgjegjëse në vend, por që vazhdimisht mbetet sfidë në vete./Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *