Osmani: Progresi i dialogut Kosovë-Serbi mund ta marrë formën përfundimtare në Ohër
Shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, vlerësoi se progresi në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të marrë formën e tij përfundimtare në raundin e ardhshëm të negociatave në Ohër, më 18 mars.
Në një intervistë për portalin Racin.mk, ai tha se në Ballkanin Perëndimor ekzistojnë dy hallka potencialisht të dobëta, kontesti Kosovë-Serbi dhe vështirësitë në funksionimin e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Sipas tij mbyllja e njërës prej tyre do të jetë një hap i rëndësishëm në stabilizimin përfundimtar të rajonit.
“Ka dy hallka potenciale të dobëta, pika të dobëta në rajon. Njëra është mosmarrëveshja Kosovë-Serbi dhe tjetra është BeH dhe vështirësitë në funksionimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Mbyllja e njërës nga këto dy çështje do të jetë një hap i rëndësishëm në stabilizimin përfundimtar të rajonit, në pajtim dhe konsolidim të mëtejshëm euroatlantik”, tha Osmani, transmeton Klankosova.tv.
Sipas tij “fakti që tani është bërë përparim serioz në Bruksel, fakti që ky progres mund të marrë formën e tij përfundimtare në Ohër, para së gjithash, e ka simbolikën e vet për shkak të suksesit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila ofron një model. për zgjidhjen e çështjeve etnike dhe është njohje e Maqedonisë së Veriut”, transmeton Klankosova.tv.
Zgjedhja e Ohrit, theksoi Osmani, është njohja e Maqedonisë së Veriut si një akter i rëndësishëm në rajon, gjegjësisht si kontribut për stabilitetin dhe sigurinë në rajon, duke reflektuar kështu, siç tha, “demokracinë tonë funksionale ndëretnike, kulturës së kompromisit dhe kulturës së dialogut, që fatkeqësisht po rrallohet gjithnjë e më shumë jo vetëm në rajon, por edhe në botë”.
“Në një farë mënyre po bëhemi pikë, referencë sesi ideja evropiane mund të përhapet në këto zona”, tha shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut nëherësh kryetar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), Bujar Osmani.