Në sheshin “Skënderbeu” vendoset një baner me përshkrimin e historisë së Jasharajve
Në sheshin “Skënderbeu” vendoset një baner me përshkrimin e historisë së Jasharajve
Për nderë të Epopesë së UÇK-së, sheshi i Prishtinës është mbushur me flamuj kombëtarë e shtetërorë derisa një baner i madh me historinë e familjes Jashari është vendosur në sheshin “Skënderbeu”.
Zejnepe Shala Krasniqi nga Prishtina po u shpjegonte fëmijëve të saj historikun e familjes Jashari dhe flijimin e tyre për lirinë e Kosovës. Këtë rrëfim po u përcillte fëmijëve teksa po shikonte banerin e vendosur nga komuna e Prishtinës në sheshin Skënderbeu e ku përshkruhet historia e familjes Jashari ndër vite.
“Unë e vlerësoj jashtë mase se këta janë që ne sot jemi në liri. Sot na e gëzojmë lirinë me fëmijët tonë brez pas brezi. Kjo është një mrekulli”, shprehet Zejnepe Shala Krasniqi, qytetare e Prishtinës.
Edhe qytetarë të tjerë teksa po shihnin banerin vlerësuan se historia e sakrificës së familjes Jashari nuk duhet harruar asnjëherë.
“Është shumë ide e mirë dhe kishte me qenë mirë nëse ka iniciativa më shumë jo vetëm kur është përvjetori”, thotë Sevdije Fazliu, qytetare.
“Intimisht mburrem me atë që i quajmë, identitet, dinjitet, krenari, vlera e virtyte më të larta kombëtare shqiptare. Që do të thotë është në gjendje me sakrifiku vetën, familjen për atë që e quajmë liri, pavarësi, barabarësi, drejtësi” , tha Sabri Kadriu, qytetar.
Në nderim të 5 marsit në shënimin e 25 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së” dhe sakrificës së familjes Jashari, sheshet dhe rrugët e kryeqytetit janë stolisur me flamuj kombëtarë e shtetërorë.