TË FUNDIT

Policëve u hiqet shtesa e rrezikshmërisë – Zeqiri: Zyrtarët policorë janë të pakënaqur dhe të mllefosur

Policëve u hiqet shtesa e rrezikshmërisë – Zeqiri: Zyrtarët policorë janë të pakënaqur dhe të mllefosur

Pagat e muajit shkurt për Policinë e Kosovës kanë dalë pa shtesën e rrezikshmërisë, të cilën ata e kanë marrë që nga themelimi.

Kjo ka shkaktuar pakënaqësi dhe mllef te shumica e pjesëtarëve, ka thënë kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

Sipas kryesindikalistit Zeqiri, “më shumë se 90 për qind” e policëve janë të pakënaqur me pagën e muajit shkurt. Sipas tij, vetëm një pjesë e vogël ka një ngritje të vogël të pagës, nga 20 deri në 90 euro, që ka ardhur kryesisht nga përvoja e punës së personit. Derisa te pjesa e stafit civil, ka edhe ulje të pagave.

“Pas ekzekutimit të pagave, unë kam pasur shumë telefonata e takime fizike me kolegë dhe janë shumë të pakënaqur me atë se çfarë ka ndodhur. Arsyeja e parë është se pagat e muajit shkurt për Policinë e Kosovës kanë dalë pa shtesën e rrezikshmërisë, shtesë kjo që është pranuar që nga themelimi i policisë e deri më tani”, ka theksuar Zeqiri.

“Pakënaqësi kemi edhe te kategoritë, ku ka pasur zvogëlim të pagave ose që pagën e kanë marrë të njëjtë me pagën e janarit”.

“Mund të them me plot përgjegjësi që kemi te një pjesë një ngritje të lehtë të pagës, krahasuar me pagën e janarit e që kjo vlerë e ngritjes është kryesisht nga përvoja e punës së personit. Përndryshe e them se me të gjithë ata që kam kontaktuar, më shumë se 90 për qind janë të pakënaqur me pagën e muajit shkurt. Rritja që e përmenda është nga 20 deri 90 euro, aty dikund”, u shpreh kryetari i Sindikatës së PK-së,EO.

Ndonëse kanë qenë pjesë e draftimit të Ligjit, Zeqiri thotë se nuk janë marrë për bazë kërkesat e tyre.

“Ne kemi qenë edhe në diskutim publik gjatë draftimit të Ligjit, dhe kërkesat tona kanë qenë që të kemi një pagesë për rrezikshmëri që ka qenë shumë e arsyeshme, jo ashtu siç ka mbetur. Po ashtu kërkesë e Sindikatës ka qenë të rriten shtesat, për orë jashtë orarit të punës dhe gjatë vikendit dhe festave, dhe që ndodhin këto për çdo ditë”.

“Kjo që ndodhi me ekzekutimin e pagave, largimi i shtesave të rrezikshmërisë, e ka krijuar atë pakënaqësinë edhe mllefin jashtëzakonisht te pjesëtarët e Policisë së Kosovës, si dhe te pjesa e stafit civil të cilët nuk kanë rritje, por kanë edhe zbritje të pagës”, u shpreh ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *