TË FUNDIT

Çlirimtarët që “i mori” Specialja përballen prapa grilave me vdekjen e familjarëve

Çlirimtarët që “i mori” Specialja përballen prapa grilave me vdekjen e familjarëve

Edhe pse kontributi i tyre gjatë dhe pas luftës në Kosovë ishte tejet i lartë, emra të rëndësishëm të vendit vazhdojnë të mbahen në Hagë, në kuadër të procesit gjyqësor të Gjykatës Speciale.

Në mesin e atyre të cilët vazhdojnë të gjykohen në Hagë, e disa tashmë të dënuar me disa vite burg janë edhe ish-krerë të institucioneve të larta të Kosovës.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish kryekuvendari Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj e shumë të tjerë ende janë pjesë e procesit të Speciales.

Derisa të njëjtit po vazhdojnë të mbahen në Hagë, në jetën e tyre u përballën edhe me humbje të më të dashurve.

Shumë prej emrave të lartcekur pikërisht gjatë kësaj kohe kanë humbur prindërit e familjarë të tjerë të afërt.

Gjatë qëndrimit në burg, ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka humbur të dy prindërit.

Babai dhe nëna e Veselit humbën jetën brenda disa muajve. Në moshën 93 vjeçare, nëna e ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, Ajshe Veseli vdiq në fshatin Broboniq të Mitrovicës.

Ndërsa më 7 korrik të vitit 2021 nga jeta është ndarë edhe babai i Veselit.

Me humbjen e një personi të dashur u përball edhe Hysni Gucati. Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve në Kosovë, Hysni Gucati humbi babain derisa mbahej si i burgosur në Hagë.

Avdullah Gucati, babai i Hysni Gucatit kreut të OVL-UÇK-së, humbi jetën më 27.05.2022. Ndryshe Gucati dhe Haradinaj më 18 maj 2022 ishin shpallur fajtorë nga Gjykata Speciale. Gucati e Haradinaj u gjetën fajtor sepse mes datave 7 dhe 25 shtator 2020 shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së. Haradinaj dhe Gucati akuzoheshin se gjatë shtatorit të vitit bën 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Pas vdekjes së babait, Hysni Gucati ishte liruar për vizitë të mbikëqyrur në Kosovë.

“Po, për shkak të arsyeve humanitare bindëse, Trupi Gjykues ka udhëzuar Zyrën Administrative që të menaxhojë një vizitë nën mbikëqyrje në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. Z. Gucati mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ishte thënë asokohe nga Specialja.
Hysni Gucati kishte ardhur në Kosovë për vizitë edhe më 12 maj derisa babai i tij ishte i sëmurë.

E sot nga jeta është ndarë edhe vëllai i Nasim Haradinajt. Ish-luftëtari i UÇK-së Agron Haradinaj njoftohet të ketë ndërruar jetë sot, ndërsa ngushëllime ndaj familjarëve e miqve të tij kanë shprehur edhe emra të rëndësishëm të politikës e shoqërisë në vend. Madje në Kuvendin e Kosovës është mbajtur edhe një minutë heshtje në shenjë nderimi për të dhe veprën e tij.

Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar me familjarë të Haradinajt dhe mbetet të shihet nëse i njëjti vjen në Kosovë këtë herë.

Po ashtu në lidhje me këtë lajmi.net ka kontaktuar edhe avokatin mbrojtës të Haradinajt, Toby Cadman, i cili theksoi se nuk mund të komentojë ende mbi këtë çështje.

“Përpara se të jap ndonjë koment në procesverbal për këtë, pasi ka të bëjë me një çështje private familjare, do të më duhet të marr pëlqimin e klientit tim”,tha ai.

Kësisoj mbete të shihet nëse Nasim Haradinajt do t’i mundësohet ardhja në Kosovë, në mënyrë që të takojë familjarët e tij pas ndarjes nga jeta e vëllait.

Por nëse kthehemi prapa dhe shohim rastet kur ish-krerëve të UÇK-së iu desh të vinin në Kosovë pas humbjes së familjarëve, duhet përkujtuar që Specialja i mbajti mjaftë të “shtrënguar” ata.
Ngjashëm kishte ndodhur edhe kur Kadri Veseli erdhi në Kosovë pas vdekjes së prindërve.

Veseli në Kosovë ka qëndruar në një objekt të sigurt dhe gjatë gjithë kohës në paraburgim.

Kadri Veseli, edhe gjatë vizitës tek varri i nënës së tij ishte nën përcjelljen e oficerëve të Speciales.

“Sekretaria i ofroi gjyqtarit të procedurës paraprake azhurnime të rregullta gjatë vizitës së paraburgimit, siç specifikohet në vendim. Z. Veseli është transferuar në një objekt të sigurt në Kosovë, ku ka qëndruar gjatë gjithë kohës në paraburgim dhe nën përcjellje. Z. Veseli vizitoi varrin e nënës së tij në shoqërinë e oficerëve përcjellës. Menjëherë pas kësaj, z. Veseli u transportua në [REDAKTUAR]. [RIDAKTUAR]. Z. Veseli vizitoi dy grupe të vogla të vizitorëve të autorizuar, pas verifikimit të identitetit, secili i përbërë nga katër anëtarë të familjes së ngushtë. Z. Veseli ka vizituar grupin e parë dy herë, para dhe pas vizitës me të dytin grup. Gjatë vizitës së tij me grupin e dytë, një anëtar i afërt i familjes u largua nga [REDAKTUAR] dhe një i afërm i autorizuar i shkallës së dytë u lejua të hynte [REDAKTUAR] dhe t’i bashkohej grupit të dytë”, thuhet në një pjesë të raportit të Speciales.

“Z. Veseli nuk ka qenë në asnjë moment vetëm me asnjë nga anëtarët e familjes dhe të afërmit e mësipërm. Vizitat [REDAKTUAR] u kryen brenda shikimit dhe dëgjimit të oficerit kryesor të kujdestarisë dhe/ose oficerit(ëve) përcjellës, me ndihmën e një përkthyesi të DSK”, thuhet tutje në raport.

Nga Gjykata Speciale bëjnë me dije se të nesërmen Veseli në objektin e paraburgimit është takuar edhe me tre grupe të vogla të vizitorëve.

“Pas përfundimit të vizitave, z. Veseli u transportua në objektin e sigurt të transferimit të KD-së, [REDAKTUAR] ku qëndroi gjatë natës. Të nesërmen në mëngjes, z. Veseli pati vizita personale me tre grupe të vogla të vizitorëve të autorizuar në objektin e sigurt të transferimit, pas verifikimit të identitetit”, thuhet në raport.

Grupi i parë i vizitorëve përbëhej nga dy anëtarë të familjes së ngushtë, grupi i dytë i vizitorëve përbëhej nga tre të afërm të shkallës së dytë dhe grupi i tretë i vizitorëve përbëhej nga katër anëtarë të ngushtë të familjes.

“Personat janë takuar ose kanë pasur kontakte me z. Veseli në objektin e sigurt të transferimit”, thonë nga Specialja.

“Z. Veseli nuk ishte vetëm me vizitorët e tij në asnjë moment. Vizitat në objektin e sigurt u kryen brenda shikimit dhe dëgjimit të oficerit kryesor të kujdestarisë dhe/ose oficerit(ëve) përcjellës, me ndihmën e një përkthyesi të DSK”, thuhet tutje në raport.

“Siç urdhëroi gjyqtari i procedurës paraprake, z. Veseli nuk kishte qasje në pajisjet e komunikimit apo mjetet e tjera të komunikimit, duke përfshirë stilolapsin dhe letrën, përveç atyre që u lehtësuan nga GJP. Përveç kësaj, z. Veseli nuk i është lejuar të kalojë apo marrë ndonjë send nga ndonjë person pa inspektimin paraprak të oficerit(ve) përcjellës”, thuhet tutje.

Që nga viti 2020 në kuadër të Speciales vazhdojnë të mbahen ish-krerët e UÇK-së ndërsa procesi i tyre gjyqësor parashihet të zgjatet ende./Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *