Abdixhiku me akuza ndaj Kurtit për dialogun: Po i bënë dëm historik Kosovës
Abdixhiku me akuza ndaj Kurtit për dialogun: Po i bënë dëm historik Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka adresuar akuza të rënda ndaj kryeministrit Albin Kurti, për dakordimin për marrëveshje me Serbinë, më 27 shkurt në Bruksel.
Në Kuvendin e Kosovës, Abdixhiku tha se kjo ujdi është dëm historik që po i bëhet Kosovës. Ai përmendi një nen në preambulë të propozimit të BE-së për dialogun, i cili sipas tij, tregon se Kosova e vë në neutralitet edhe statusin e vet politik, përkundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Në një rast të paprecedentë, Kosova pajtohet me pa paragjykimin e statusit të vet politik. Pa paragjykimin e palëve mbi çështjen e statusit është pjesë e preambulës. Në një formulim të vetëm ky kryeministër barazon mosnjohjen e Serbisë me vet aktin e deklarimit të shpalljes së pavarësisë. Ky formulim në preambulë neutral ndaj statusit është lëshimi më i madh i bërë ndonjë herë në procesin e dialogut. Neutraliteti ndaj statusit është dëmi historik mbi Kosovën, madje edhe me marrëveshjet paraprake që kishte ambiguitet, siç ishte rasti me fusnotën ndër të tjera, kishte referencë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. A e kuptoni dëmin historik që i keni bërë vendit”, tha ai.
Ai renditi edhe dy nene të marrëveshjes, atë shtatë dhe 10, ku flitet për vetëmenaxhim të komunitetit serb në Kosovës, hartimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe dhe Asociacionit. Sipas tij, këto shkojnë përtej marrëveshjeve të arritura nga e kaluara.
“Albin Kurti nuk e ka sjell Asociacionin, ai e ka gjetë si pjesë detyruese të marrëveshjeve paraprake, kjo është e vërteta. Askush në Kosovë nuk mund të akuzojë atë për nënshkrimin e një marrëveshje paraprake. Por ajo çka po sjell ky kryeministër është pranimi i këtij asociacioni, përkundër kushtimit disa vjeçare që e ka bërë. Punë për të se si arsyeton para bazës së vet, për neve respektimi i marrëveshjeve paraprake është obligim kushtetues i Kosovës… Ajo që nuk dihet se çka ka pranuar ky kryeministër janë definuar në nenin shtatë. Aty ai ka hapur një dritare të re, fillimisht me pajtimin për të siguruar një nivel të duhur të vetë menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, më pas duke siguruar ndërlidhje të drejtpërdrejtë të tyre me Qeverinë e Kosovës dhe në fund duke zyrtarizuar statusin e Kishës Ortodokse Serbe, për të ofruar nivel të fortë për kishën në përputhje me modelet të tjera në Evropë. Këto dy elemente të paqarta tejkalojnë marrëveshjet paraprake, janë përtej tyre dhe bëhen në bazë të kriteret puro-etnike”, theksoi ai.