Kisha Ortodokse serbe në Kosovë, ja çfarë parashihet për statusin e saj në planin franko-gjerman
Kisha Ortodokse serbe në Kosovë, ja çfarë parashihet për statusin e saj në planin franko-gjerman
Gjatë ditës së djeshme në Bruksel është zhvilluar takimi i radhës në mes kryeministrit Albin Kurti si dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Pas këtyre takimeve, nga Bashkimi Evropian është publikuar edhe zyrtarisht përmbajtja e planit të njohur si franko-gjerman.
Në këtë plan përfshihen gjithsej 11 pika, për të cilat pati vetëm miratim verbal në Bruksel, por nuk është arritur të nënshkruhej ndonjë marrëveshje zyrtare në letër në mes palës kosovare dhe asaj serbe, transmeton lajmi.net.
Në kuadër të këtij plani është edhe neni shtatë ku thuhet se palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.
Neni 7
Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.
Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane./Lajmi.net/