Inspektohet klinika private ku ndërroi jetë pacientja 41-vjeçare
Inspektohet klinika private ku ndërroi jetë pacientja 41-vjeçare
Inspektorë të Inspektoratit të Shëndetësisë u paraqitën qysh në orët e mëngjesit të së hënës në poliklinikën private, ku dy ditë më parë një grua 41-vjeçare ndërroi jetë pas një intervenimi gjinekologjik që kreu në këtë klinikë.
Ndërkohë nga Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës së sotme ia kanë konfirmuar përmes një përgjigje me shkrim se janë në proces të inspektimit.
“Bazuar në informatat e pranuara nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim të IPSh-ve, poliklinika private në fjalë në Ferizaj është licencuar nga Ministria e Shëndetësisë më datë 04.11.2021 për disa veprimtari shëndetësore, ndër të cilat edhe për Ambulancë Specialistike e Gjinekologjisë me disa shërbime. Lidhur me rastin në fjalë, Inspektorati Shëndetësor është në proces të inspektimit”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Ky inspektim ndodhi dy ditë pasi kishte ndodhur rasti teksa një ditë më parë, kryeinspektorja Nora Kursani ia konfirmoi përmes telefonit se si inspektorat nuk kanë qenë të ftuar për ta inspektuar këtë klinikë.
RTK ka kërkuar një përgjigje edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës nëse kanë nisur ndonjë hetim për shkaqet e mos-informimit nga autoritetet policore të inspektoratit shëndetësorë. Inspektorati i Policisë ka konfirmuar se sipas detyrës zyrtare, është në fazën e grumbullimit të informacioneve. E njëjta pyetje për shkaqet e mos-informimit të inspektoratit të shëndetësisë i është drejtuar edhe prokurorisë së shtetit, por as ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërsa një ditë më parë, Policia e Kosovës ka njoftuar se për rastin janë njoftuar nga emergjenca e Ferizajt, e cila të shtunën kishte pranuar pacienten pa shenja jete. Sipas Policisë, dy persona janë intervistuar deri më tani lidhur me rastin dhe sipas informacioneve të para, e ndjera, pas një intervenimi gjinekologjik në ordinancën private, kishte pasur shtrëngime gjoksi ku i ishte dhënë ndihma e parë dhe më pas ishte dërguar drejt emergjencës së Ferizaj.