TË FUNDIT

Komandanti i KFOR-it: Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës, nuk kanë nevojë për leje që të operojnë në veri

Komandanti i KFOR-it: Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës, nuk kanë nevojë për leje që të operojnë në veri

Komandanti i KFOR-it, Angelo Mikele Ristuccia e ka përsëritur faktin se misioni që ai e drejton nuk ka asnjë provë për praninë e grupit ushtarak privat rus Wagner në Kosovë.

E ndërsa ka thënë se Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk mund të shkojnë në veri pa miratimin e tij dhe se asnjëherë nuk kanë bërë një kërkesë të tillë deri më tani, Ristuccia ka theksuar se forcat speciale të policisë nuk kanë nevojë për leje për të qëndruar në veri, duke kujtuar marrëveshjen në Bruksel.

“Serbia ka nënshkruar dhe ka përcaktuar qartë Policinë e Kosovës si e vetmja kompetente për detyrat e zbatimit të ligjit dhe policisë. Pavarësisht nga llojet e policisë, si është organizuar policia, çfarëdo qofshin ato – njësitet ROSU, njësitë speciale, ato janë përgjegjëse për luftimin e krimit, grupeve të organizuara kriminale. Nuk ka kufizime për Policinë e Kosovës kur bëhet fjalë për kryerjen e detyrave të tilla në mbarë Kosovën”, tha Ristuccia për Kossev.

Ai e vlerëson situatën aktuale në Kosovë si të ndjeshme dhe të paqëndrueshme, por ende paqësore dhe dukshëm më të mirë se sa ishte në dhjetor.

“Mund të themi se situata tani është shumë më e mirë se sa ishte në dhjetor. Megjithatë, ka një sërë çështjesh që na shqetësojnë, siç është, për shembull, vakuumi i rrezikshëm që u krijua në veri pasi serbët nga Kosova dhanë dorëheqje nga institucionet”, ka deklaruar ai.

Kujtojmë se në muajt e fundit, Njësitë Speciale të Kosovës patën disa operacione në komunat veriore të vendit, të cilat u kritikuan nga politikanët serbë në Kosovë dhe Serbi. Ata thonin se Njësitë Speciale nuk kanë mandate të operojnë në veri në mënyrën si ata e bënin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *