Konjufca shkakton të qeshura në Kuvend: Nuk qenkam njoftuar për këto përqafime mes opozitës dhe Martin Berishajt
Konjufca shkakton të qeshura në Kuvend: Nuk qenkam njoftuar për këto përqafime mes opozitës dhe Martin Berishajt
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka folur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës për Komisionin Hetimor për Krizën Energjetike.
Ai ka thënë se opozita ka për detyrë t’ju kërkojë falje të gjithë dëshmitarëve që janë thirrur për të dëshmuar në komision, pasi që sipas tij i gjithë ky hetim ka qenë pa rezultat, shkruan lajmi.net.
Abrashi ka folur edhe për akuzat e opozitës drejt ambasadorit të Kosovës në Slloveni, Martin Berishaj, i cili është raportuar se është përfshirë në një skandal financiar në vendin ku vepron.
“Ky komision ka përfunduar me puthje e përqafime mes deputetëve të opozitës dhe ambasadorit Martin Berishaj”, ka deklaruar ndër të tjerash Abrashi.
Pas kësaj deklarate ka reaguar edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.
“Unë nuk qenkam i njoftuar për këto përqafime z.Abrashi”, ka thënë Konjufca me ironi duke shkaktuar të qeshura në sallë.
Ndërkaq, deputeti Armend Zemaj nga LDK ka mohuar këto akuza duke thënë se “personalisht nuk ka pasur mundësinë të përqafojë ambasadorin dhe se nuk e njeh nga afër”. /Lajmi.net/