4 mijë banesa për çiftet e reja, Kurti thotë se këtë vit nis të zbatohet projekti
4 mijë banesa për çiftet e reja, Kurti thotë se këtë vit nis të zbatohet projekti
Kryeministri i vendit, Albin Kurti është deklaruar në lidhje me projektin e paraparë për ndërtimin e 4 mijë banesave për çiftet e sapomartuara në Kosovë, që ishte premtuar edhe gjatë fushatë zgjedhore.
Në kuadër të pyetjes së cilës i është bërë në Kuvendin e Kosovës në lidhje me këtë, Kurti tha se projekti për banim të përballueshëm është unik dhe zbatohet për herë të parë në Kosovë.
“Është krejtësisht i ndryshëm prej banesave sociale, pra banesave për raste sociale që veç ekzistojnë në një masë në Kosovë e që për këtë është aprovuar kredia prej 25 milionë euro nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës dhe shpejtë pritet të vijë në Kuvend si Projektligj dhe marrëveshje. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me datë 16 shkurt ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me IFC-në, për banim me kosto të përballueshme si pjesë e grupit të Bankës Botërore, më 1 shkurt 2023 ka prezantuar para ministrit Aliu dhe kabinetit të tij studimet dhe rekomandimet se si mund të zbatohet kjo në Kosovë.Ky studim ka përfshirë sektorin e banimit në Kosovë, analizën e aspektit ligjor që mundëson realizimin e projektit dhe së treti modeli financiar që mundëson realizimin e skenarëve dhe kalkulon koston e Qeverisë”,tha Kurti, transmeton lajmi.net.
Kurti theksoi se sipas skenarit bazë nga IFC kostoja e ndërtimit është përafërsisht 200 milionë euro.
“Ne do të caktojmë një ekip që do të fillojë me implementimin e projektit nëpër komuna. Padyshim se projekti do të nis së zbatuari gjatë këtij viti e komunat do të dedikojnë tokën komunale për projekt, pasi në këtë aspekt ne varemi nga ta.Komuna e Prishtinës, e Pejës dhe e Gjilanit tashmë kanë siguruar këto prona.Projekti është kompleks dhe kërkon ekspertizë për qëndrueshmëri pasi që po bëhet për herë të parë. 4 mijë objekte banesore pritet që të bëhen sa më shpejtë”,përfundoi Kurti./Lajmi.net/