Plagosi aksidentalisht një person në aheng, arrestohet i dyshuari në Rahovec
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar, pasi dyshohet se aksidentalisht ka plagosur një person në një aheng në Dobidol të Rahovecit.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me vendimin e të cilit personi i dyshuar është ndaluar në mbajtje për 48 orë. Ndaj tij është iniciuar rast për vepër penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Stacioni Policor në Rahovec pasi kishte pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në fshatin Dobidol-Rahovec, iu janë përgjigjur rastit dhe kanë arrestuar të dyshuarin N.M., mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, lindur në vitin 1968, i cili dyshohet se rreth orës 23:00 në një aheng kishte shtënë me armë zjarri.
Nga të shtëna dyshohet se aksidentalisht është qëlluar një person, mashkull i moshës madhore i cili vazhdon të trajtohet në Spitalin Rajonal të Gjakovës për shkak të plagës së shkaktuar nga një predhë e plumbit”, thuhet në njoftim.
Në cilësinë e provave materiale është konfiskuar një pistoletë prodhim turk me një karikator dhe katër gëzhoja të kalibrit 9mm.