POLITIKA

Ushtarët britanikë të KFOR-it shkojnë pranë barrikadave, i pyesin serbët se kush po i drejton ato

KFOR-i, misioni i bllokut perëndimor ushtarak, NATO-s, po vazhdon ta monitorojë situatën në veri të Kosovës.

Të mërkurën disa pjesëtarë të kontigjentit britanik të KFOR-it u afruan afër një barrikade. Aty ishin mbledhur një numër i konsiderueshëm i serbëve dhe ushtarët britanikë vendosën të flisnin pak me ta, përcjell Gazeta Exzpress.

Ata i pyetën serbët nëse gjithçka është në rregull dhe kush i drejton barrikadat, raporton mediumi serb, “Kosovo Online”.

Një nga serbët, i cili fliste anglisht, iu përgjigj duke thënë se për këtë ata duhej të flisnin me përfaqësuesit politikë të këtij komuniteti.

Ushtarët britanikë i pyetën serbët nëse ishin të lumtur, dhe ata u përgjigjën pozitivisht. Për këtë, ushtarët e KFOR-it thanë se edhe ata janë të lumtur nëse serbët janë të lumtur.

Britanikët raportohet se po shkonin në drejtim të Mitrovicës së Veriut me dy xhipa. Pasi bënë pak shaka me serbët e grumbulluar pranë barrikadave, ushtarët e KFOR-it u larguan nga aty.

Britania e Madhe i ka kërkuar Serbisë që t’i heqë menjëherë barrikadat. Komuniteti ndërkombëtar po angazhohet sërish për këtë çështje, pasi ato u vendosën edhe një herë të shtunën. Si arsye u përdor arrestimi i ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiq, i cili u arrestua dhe po mbahet në paraburgim nën akuzat për sulm terrorist.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *