POLITIKATË FUNDIT

Investimet në mjedisin jetësor me realizim prej 62.7 përqind, ndotësi jo gjithmonë paguan për dëmin

Lumi Shkumbin (14.07.2022), foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Lumi Shkumbin (14.07.2022), foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Programi shtetëror për investime në mjedisin jetësor për periudhën 2019-2021 ka një realizim prej 62,7 përqind, ndërsa mjetet nga buxheti i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) nuk janë të mjaftueshme për financimin e aktiviteteve në fushën e mbrojtjes së ajrit dhe natyrës. Vetëm 37 përqind e komunave kanë të hyra në bazë të kompensimeve për menaxhimin e mbeturinave. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e serisë së vërejtjeve të Entit Shtetëror të Revizionit (EShR) në raportin e fundit për revizionin e kryer të kontrollit të performancës me temë “Tatimet për mjedisin jetësor në funksion të zbatimit efektiv të politikave për mbrojtjen e mjedisit jetësor”, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Revizorët kanë konstatuar se korniza strategjike dhe ajo normative në fushën e mjedisit jetësor ofrojnë njëfarë progresi në drejtim të zbatimit të politikave, por ai është i pamjaftueshëm për përmirësimin e cilësisë së mjedisit jetësor dhe shfrytëzimit racional të burimeve natyrore. Është konstatuar mungesë e një qasjeje të integruar për zgjidhjen e problemeve të mjedisit jetësor në nivel kombëtar dhe lokal.

EShR ka konstatuar se parimi “ndotësi paguan” nuk respektohet gjithmonë në rastin e përcaktimit të shumës së kompensimit për ndotësit.

“Subjektet kompetente nuk llogarisin pjesën variabile të kompensimit për shkarkimin e ujërave, janë caktuar shuma fikse të kompensimeve për menaxhimin e mbeturinave, kompensimet për mbajtjen e një leje ekologjike të integruar nuk lëvizin brenda kufijve të përcaktuar me ligj për pikat e emetimit, ndërsa komunat nuk kanë qasje të barabartë në përcaktimin e bazës për përllogaritjen e kompensimit për grumbullimin, transportimin dhe deponimin e mbeturinave komunale”, thuhet në raportin e revizionit.

Revizorët kanë konstatuar se nuk ekziston një sistem i vetëm informacioni që do t’i përmbajë informacionet dhe të dhënat nga të gjitha institucionet për llogaritjen dhe arkëtimin e kompensimeve, ndërsa Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor nuk ka autoritet ligjor për t’i sanksionuar ata që nuk e kanë paguar kompensimin.

Vërejtje nga revizorët ka edhe për të hyrat e pa realizuara në buxhetin e shtetit nga viti 2020 e deri më tani sa i përket kompensimeve për shfrytëzimin dhe shkarkimin e ujit në vlerë prej 101,6 milionë denarë, ndërsa kritika ka edhe për përqindjen e ujit të pa kompensuar prej 60.46 përqind, që është më e lartë nga mesatarja e vendeve të BE-së, ku kjo përqindje është 30.

“Për shkak të mos lëshimit fare ose në kohë të aktvendimeve për pagesën e taksës/kompensimit për posedimin e lejes A të integruar, parashtrimit të padive jo në kohë ose jo të plota, përfundimisht me datën 31.12.2021, janë realizuar më pak të hyra edhe në buxhetin e MMJPH-së, gjegjësisht, nuk janë arkëtuar kërkesa në shumë prej 9.453 mijë denarësh, dhe janë shlyer 30.273 mijë.

Nga EShR konstatojnë se Laboratori Qendror për Mjedisin Jetësor nuk është plotësisht i akredituar, ndërkohë që revizorët nuk kanë mundur të sigurojnë një tregues për shkallën e shfrytëzimit të mjeteve nga kompensimet për mjedisin jetësor në lidhje me finalizimin e aktiviteteve nga fusha e mjedisit jetësor.

“Mjetet nga buxheti i MMJPH nuk janë të mjaftueshme për financimin e aktiviteteve në fushën e ajrit dhe mbrojtjes së natyrës, ndërsa në nivel lokal, mjetet e planifikuara për mbrojtjen e mjedisit nuk sigurojnë realizimin e dokumenteve planore dhe zbatimin e aktiviteteve në zonat dhe aglomeratet prioritare”, kritikojnë revizorët.

Revizorët rekomandojnë që MMJPH dhe Qeveria të rishqyrtojnë mundësitë e vazhdimit të financimit të masave për uljen e ndotjes së ajrit përmes Programit për uljen e ndotjes së ajrit, por edhe t’i intensifikojnë aktivitetet për vendosjen e një sistemi të vetëm për evidencën e kompensimeve për mjedisin jetësor, ndërsa një nga rekomandimet për komunat është që të bëjnë arkëtimin në kohë dhe të plotë të kompensimit për menaxhimin e mbeturinave.

EShR ka 18 rekomandime për MMJPH, Qeverinë, Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit Jetësor dhe Komunat, të cilat ato duhet t’i zbatojnë në periudhën në vazhdime që kanë të bëjnë me sistemin e menaxhimit të mjedisit jetësor, administrimin e tatimeve për mjedisin jetësor dhe kontributin e tyre për zbatimin e politikave.

M. Z. Send an email 19:12, 13-12-2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *